Transmetuar më 20-02-2014, 13:00

Tiranë, 20 shkurt 2014, NOA.al- Gjatë seancës parlamentare ku pritet miratimi i kërkesës për shkarkimin e kryeinspektores së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka, reaguan demokratët duke thënë se procedura për shkarkimin e saj nisi me shkelje.

Në vijim të seancës parlamentare ish-Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama udhëhiqet nga urrejtja e tij për shkarkimin e Zana Xhukës.

Sipas tij Zana Xhuka po sakrifikohet për pallatin e Edi Ramës dhe Linda Bashës. Berisha theksoi se kurrë ndonjëherë një mazhorancë nuk mund të veprojë në mënyrë kaq flagrante në shkelje të interesave të vendit.

“Dëshmitarët e rremë ose janë të korruptuar fund e krye ose të manipuluar, atyre ne u tregojmë bërrylin cilidoqoftë. Ne do flasim. Ky nuk quhet Parlament, por quhet turp kombëtar”, tha Berisha.

Ndërkohë referuar protestës së sotme ai tha se Shqipëria po marshon drejt Tiranës, ndaj kërkoi që të largohet policia nga akset kryesore të kryeqytetit dhe të lejohen qytetarët në protestën e tyre.

Në vijim duke folur për mediat në ambientet e jashtme të Parlamentit Berisha, e cilësoi shkarkimin e Xhukës si shkeljen më të rëndë që nga momenti i parlamentit pluralist, duke shtuar se qeveria do të marrë në dorë çdo pushtet.

Ish-Kryeministri theksoi se shkarkimi i saj vjen pasi Zana Xhuka ka pasur kurajën që të ftojë Linda Bashën që të japë sqarime për pallatin 5 katësh.

Më herët kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se Komisioni parlamentar i Ligjeve nga komisioni që do të kontrollonte kushtetutshmërinë e ligjeve, është kthyer në komisionin për shkeljen e ligjeve.

Paloka tha se futja në rend dite e këtij akti antikushtetues është shumë e rëndë, duke kujtuar se është Konferenca e Kryetarëve ajo që përcakton datën e miratimit në Kuvend të kërkesës së shkarkimit.

“Është shkelur pikë për pikë rregullorja. Edhe në gjyqet e Enver Hoxhës i lejohej të pandehurit të mbronte veten. Me këtë akt nuk kërkohet thjesht shkarkimi i drejtueses së ILDKP, por kërkohet që të votohet dekreti i Presidentit të asaj kohe, dekreti i parë i Presidentit kur ishte kandidate zonja që është sot kryetare, me dikë tjetër që nuk u miratua atëherë, por që sot me sa duket iu duhet”, deklaroi Paloka.

Nga ana e tij kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi kërkoi që të respektohet rregullorja, duke ftuar opozitën që nëse ka dëshirë le të mblidhet Konferenca e Kryetarëve.

Ai theksoi se nuk synohet uzurpimi i institucionit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por shtoi se nuk mund të mbyllen sytë para shkeljeve.

Ndërkohë në vijim të debateve dhe akuzave mes opozitës dhe mazhorancës, kryeparlamentari Ilir Meta, deklaroi se do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Por edhe në përfundim të kësaj mbledhje sërish nuk u arrit konsensus mes opozitës dhe mazhorancës për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit