


Pukë, 18 shkurt 2014, NOA.al-Forcat e policisë dhe ato të zjarrfikësve janë tërhequr nga operacioni në greminë për nxjerrjen e trupit të viktimës Pjetër Uksenaj, 65 vjeç, i cili punonte si bari në fshatin Aprripa e Gurit, në Pukë. Pas tentativës disa orëshe, forcat e policisë nuk kanë mundur ta finalizojnë më sukses operacionin për shkak të terrenit shumë të thepisur dhe errësirës.
Policia bën me dije se ka studiuar edhe mundësinë e ndërhyrjes me helikopter, por për shkak të terrenit është e pa mundur, ndaj po shikohet mundësia për të ndërhyrë me mjete të tjera ndihmëse, për të nxjerrë trupin nga gremina.
Në këtë operacion janë përfshirë edhe persona nga stafi i HEC-it të Komanit. Policia ka bërë të ditur më herët se trupi i viktimës ndodhen në një thellësi gati 300 metra.
Operacioni për nxjerrjen e trupit të 65 vjeçarit u drejtua nga shefi i Komisariatit të Pukës Hamdi Shullani.
Forcat e policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen nga gremina të personit të dytë, i cili kishte hyrë për të nxjerrë trupin e 65-vjeçarit.
Pavarësisht përpjekjeve të forcave të policisë, familjarët e viktimës akuzojnë shtetin se po neglizon fatkeqësinë e tyre.
Mësohet se 65-vjeçari, Pjetër Uksenaj duhet të ketë humbur jetën dy ditë më parë kur kishte dalë nga shtëpia për të kullotur bagëtitë. Mungesa e tij në familje ka bërë që familjarët të nisin kërkimet dhe kanë gjetur trupin e pajetë të rënë në një greminë.
Sipas policisë rënia në greminë dyshohet së është aksidentale. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





