
Tiranë, 18 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Sekretarin Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) z. Sven Alkalaj.
Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ofruar nga UNECE gjatë viteve të fundit dhe shpreh vullnetin për rritjen e mbështetjes dhe ekspertizës së komisionit në funksion të prioriteteve kryesore ekonomike të Shqipërisë, duke nënvizuar njëkohësisht se Kombet e Bashkuara, përmes programeve të tyre të ndryshme, janë një partner solid në përmbushjen e qëllimeve kombëtare të vendit.
Z. Alkalaj u shpreh se qëllimi i vizitës së tij në Tiranë është t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit me Shqipërinë dhe vuri në dukje se Komisioni Ekonomik i OKB për Evropën do t’i kushtojë gjithnjë e më tepër rëndësi projekteve zhvillimore në vendet e rajonit të Ballkanit, ku Shqipëria do të marrë mbështetjen e duhur përmes programeve të ndryshme.
Z. Meta dhe z. Alkalaj biseduan gjithashtu mbi hartimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes së mjedisit, menaxhimit të pyjeve, rritjes së aksesit ndaj ujit të pijshëm, përmirësimit të infrastrukturës së turizmit dhe në forcimin e kapaciteteve menaxhuese, duke ndarë bindjen se platforma e UNECE do të kontribuojë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në forcimin e integrimit rajonal dhe në rritjen e prosperitetit për qytetarët shqiptarë. noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





