
Shkodër, 18 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i PD Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me aktivin e Partisë Demokratike të Shkodrës. Pasi ka falënderuar të gjithë ata të rinj dhe të reja që po bëhen çdo ditë dhe më shumë pjesë e kësaj force politike, duke u anëtarësuar në të, kreu i opozitës Basha u shpreh se PD mbetet krahëhapur për të mirëpritur çdo të ri dhe të re, që dëshiron të bëhet pjesë e kësaj force politike.
Këto anëtarësime të reja tha Basha, janë lajme të mira për PD, demokracinë dhe shpresë për shqiptarët, në këtë kohë të zymtë, kur lajmet flasin vetëm për rënie të punësimit, zhvillimit, konsumit dhe investimeve, për rritje të treguesve të varfërisë, krimit, trafiqeve e drogës.
Basha tha se prapa këtij realiteti gjithmonë e më dramatik është qeveria Rama–Meta, e cila tallet sesa bukur jua hodhi shqiptarëve me premtimet që bënë, është qeveria që provokon dhe tenton me të gjitha format e paligjshmërisë të pushtojë administratën publike dhe të kapë shtetin. Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, kreu i opozitës kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë që ti thonë jo kësaj qeverie duke u bashkua në protestën e 20 shkurtit në Tiranë. Basha tha se, demokratët dhe shqiptarët duhet të bashkohen në marshimin antiqeveritar, në shenjë proteste për premtimet e pambajtura të dyshes Rama-Meta.
“Koha që po jetojmë me qeverinë Rama-Meta që ka tendencën për tu instaluar si një oligarki antidemokratike na thërret të dali në shesh, për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të demaskuar mashtrimet e qeverisë. Për të ndaluar krizën e gjithanshme para se të ketë zënë poshtë vendin.”- u shpreh Basha.
Duke u ndalur tek protesta, Basha theksoi se ajo do të jetë paqësore, ashtu siç u ka hije demokratëve shqiptarë.
“Të enjten do t’i tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës. Të gjithë në shesh si europianë të vendosur t’i japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do të jetë paqësore, siç i ka hije demokratëve të Shqipërisë moderne e evropiane që ne përfaqësojmë e do të përfaqësojmë gjithmonë.”- u shpreh kreu i opozitës. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





