Transmetuar më 18-02-2014, 18:16

Tiranë, 18 shkurt 2014, NOA.al- Ish-kryeministri Berisha u shpreh sërish sot në mbështetje të shoferëve të furgonave dhe sindikatës së tyre. Nëpërmjet rrjetit të tij social në Facebook, Berisha tha se, “prej shume ditësh vazhdon beteja midis qeveritarëve që duan të vendosin monopolet e tyre mbi transportin e pasagjerëve dhe mbi 15 mijë shoferëve të furgonave që me automjetin e tyre sigurojnë kafshatën për familjet e tyre”.

Ish-kryeministri kujtoi se, “këto 20 vite transporti i pasagjerëve ka qenë sektori më mirë i vetërregulluar dhe mund t’ju siguroj se në 8 vitet tona në pushtet ankesat nga pasagjerët nuk kanë ekzistuar dhe ankesat e shoferëve kanë qenë shumë të rralla”.

Sipas tij, problem kryesor mbetet, rritja e çmimit të naftës, subvencionimi nga qeveria i çmimit të biletave.

“Qeveria në vend të zgjidhjes së këtij problemi u vërsul me urdhër të Ramës mbi furgonat me trillime primitive se këta qenkan mjete të pasigurta për transport pasagjerësh, ndërkohë që po të ishin të tilla nuk do prodhohej qoftë dhe një i vetëm”, u shpreh Berisha.

Këto pretendime të qeverisë, ish-kryeministri i quajti akte gangsterësh që kanë vetëm një qëllim vendosjen e monopolit të transportit të pasagjerëve nga kryeministri dhe Koçot e tij në qeveri.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen me të gjitha mjetet me shoferët e furgonave dhe sindikatën e tyre. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit