
Tiranë, 18 shkurt 2014, NOA.al- Mungesa e sigurisë më vend, kursi anti-ligjor i qeverisë në lidhje me aktet e saj të fundit kundër konsensusit politik dhe zhvillimet e tjera politike dhe sociale në vend, kanë qenë disa nga shqetësimet më kryesore, që ka ngritur kryetari i PD-së Lulzim Basha më drekën e punës që kishte organizuar sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, SHBA dhe OSBE-së.
Gjatë kësaj dreke, z.Basha u tha ambasadorëve se është e papranueshme dhe e paprecedentë në historinë e shtetit, nisma e re e qeverisë në dëm të administratës publike, që ka të bëjë me vonesën e botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare, vendim që ka hedhur poshtë aktin normativ që shtyu zbatimin e Ligjit për Nëpunësin Civil, si dhe hartimi pa asnjë transparencë i një projekt-ligji të ri që parashikon 16 nene anti-reformë që dobësojnë statusin e nëpunësit dhe cënojnë sigurinë juridike të administratës.
Duke u ndalur tek reforma territoriale, z.Basha tha se konsensusi është i domosdoshëm për këtë proces, në mënyrë që rezultatet të jenë të qëndrueshme dhe të gjithëpranueshme.
Kryetari i Partisë Demokratike, duke iu përgjigjur shqetësimit të ambasadorëve për gjendjen e rendit dhe të sigurisë, në veçanti të situatës alarmante të tranzitimit të drogës nga Shqipëria drejt BE-së, tha se kjo vjen si pasojë e dëmtimit të Policisë së Shtetit, nga shkarkimet masive që ka bërë qeveria, dhe nga zëvendësimi i profesionistëve me militantë partiakë.
Me ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e Policisë së shtetit, theksoi Basha, ne kërkojmë jo vetëm të evidentojmë rastet e shkeljes së ligjit, por dhe të kontribuojmë në korrigjimin e tyre.
Ambasadorët u informuan mbi aktet e vazhdueshme antiligjore dhe anti konsensus të qeverisë për vënien nën kontroll politik të institucioneve të paravura, si ILDKP dhe AMA. Si dhe për rastin më të fundit të prishjes së konsensusit politik, që është ndërhyrja e qeverisë në ligjin për financimin e partive politike.
Z.Basha i njohu ambasadorët me pakënaqësinë që po krijon qeveria me mënyrën e saj të funksionimit, pa transparencë dhe me arbitraritet, dhe sidomos me faktet më të fundit që tregojnë se kjo mazhorancë i ka braktisur premtimet e saj kryesore të fushatës zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokratike i siguroi ambasadorët se opozita do të bëjë gjithçka për ta detyruar qeverinë të japë llogari dhe të bëjë transparencë para qytetarëve shqiptarë.
Z.Basha i garantoi përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe SHBA-së, se Partia Demokratike do të jetë një mbështetëse pa rezerva e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





