Transmetuar më 17-02-2014, 22:59

Një makinë është hedhur në erë mbrëmjen e sotme si pasojë e një shpërthimi që policia dyshon se ka ardhur nga vendosja e një sasie lënde plasëse të llojit tritol.

Ngjarja ndodhi në orën 22.00 pranë Kopshtit Botanik në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, raporton noa.al.

Bëhet fjalë për një autoveturë të markës Opel tip “Corsa” me targa italiane GR 219794, e cila ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së një sasie eksplozivi, ndërsa ishte parkuar në anë të rrugës. Makina ishte pronë e një shtetasi italian që ndodhet në Tiranë.

Policia thotë se nuk ka të lënduar nga shpërthimi por dëme materiale që përfshinë jo vetëm makinën ku besohet se ishte vënë tritoli por edhe mjete të tjera rrotull saj.

Policia mendon se ka qenë atentat për të trembur personin, ku është vendosur lënda eksplozive e jo për ta eleminuar atë.

Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit thotë se po heton për të sqaruar shkaqet e këtij krimi.

Kohët e fundit ka një shtim serioz të rasteve të vendosjes së lëndëve plasëse në banesa dhe makina në qytete të ndryshme të vendit. Pjesa më e madhe e këtyre krimeve mbeten pa autorë të arrestuar. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit