Transmetuar më 17-02-2014, 21:15

Kurbin, 17 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë sot në aktivin e PD në Kurbin ku dhjetëra të rinj i janë bashkuar demokratëve. Përballë mashtrimit, pasigurisë varfërisë, humbjes së vendeve të punës, çdo ditë e më shumë, shqiptarët po i bashkohen Partisë Demokratike, si e vetmja shpresë për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e Shqipërisë, tha lideri i opozitës Lulzim Basha.

“Ky është një zgjim i madh i rinisë shqiptare, që na kujton zgjimin e 23 viteve më parë, është dhe  një reagim i pazakonshëm i saj ndaj  kursit  të pandalshëm të përkeqësimit dhe rrezikimit të të ardhmes nga dyshja Rama-Meta.

Është e papërgjegjshme, është absurde për opozitën të rrijë duarkryq, t’i japë kohë të keqes, duke pritur që e keqja të shkojë deri në fund.

Është detyrë e qytetarëve, është detyrë e njerëzve të lirë në demokraci të ngrihen, të thonë fjalën e tyre, të bashkojnë zërin e tyre të lirë, për të kërkuar ndalimin e së keqes e jo të presin që e keqja t’u marrë frymën”, tha Basha

Kreu i opozitës u ka bere thirrje nga Kurbini të gjithë atyre që janë mashtruar për një vend pune, për shëndetësi falas, për legalizime falas, për ulje çmimesh, të përndjekurve, pronarëve, të bashkohen me 20 shkurt në marshimin e protestës në orën 14.00 në Sheshin Skënderbej.  Krahas përkujtimit të 23 vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, është koha për t’i përcjellë një mesazh mbarë popullor  dyshes Rama-Meta, deklaroi lideri i opozitës Lulzim Basha.

“Është koha të ngrihemi përsëri, kundër papunësisë, kundër rritjes së taksave, kundër rritjes së çmimeve, kundër shtrenjtimit absurd të kostos së jetesës, në kohë krize  kundër shkatërrimit të vendeve të punës, kundër largimeve masive arbitrare nga administrata, kundër pasigurisë për jetën dhe pronën, kundër faturave afrofe të energjisë, kundër gjobave të paligjshme. Të dalim të gjithë të enjten. Të shkundim qeverinë,  me fuqinë e bashkimit, me zërin e  fuqishëm të njerëzve të lirë”, tha Basha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit