Transmetuar më 17-02-2014, 17:56

Tiranë, 17 shkurt 2014, NOA.al- Kryeministri Rama publikoi sot pesë propozimet e përzgjedhura si më të mirat, në përfundim të fazës së parë të Konkursit për Vijën Bregdetare të Vlorës. Rama informon se, “përfundoi faza 1 e Konkursit për Vijën Bregdetare të Vlorës me përzgjedhjen nga një Juri Ndërkombëtare të 5 propozimeve më të mira, mes 45 propozimeve të mbërritura".

Të përzgjedhurit që do të vijnë të prezantojnë propozimet e tyre përpara publikut të Vlorës, janë: L’AUC Paris, përfaqësuar nga Djamel Klouche, Francë, DOGMA, përfaqësuar nga Martino Tattara, Belgjikë – Itali. HFF, përfaqësuar nga Simon Hartmann, Zvicër. MBAS, përfaqësuar nga Matthias Bauer, Gjermani dhe XDGA, përfaqësuar nga Xaveer de Geyter, Belgjikë”.

Kryeministri informon se, 5 propozimet e përzgjedhura do të prezantojnë në Vlorë, më datë 21 Shkurt projektet e tyre përpara Jurisë Ndërkombëtare Finale dhe qytetarëve të Vlorës. Do të ketë 3 Çmime për tre propozimet më të mira, si edhe një çmim special për studion më të mirë vendase.

“Regjistrimet online arritën një rekord; në përfundim të afatit zyrtar. Në faqen e Konkursit u regjistruan rreth 110 studio vendase e të huaja. Harta nga vijnë projekt-propozimet për Konkursin është e larmishme: Itali (15), Shqipëri (13), Francë (3), SHBA (2), Belgjikë, Britani e Madhe, Gjermani, Greqi, Holandë, Poloni, Spanjë, Zvicër, Kosovë, Maqedoni, Indi, Liban”, shkruan kryeministri.

Ai thekson se konkursi ishte anonim dhe Juria e ka bërë përzgjedhjen e saj vetëm mbi bazën e propozimeve të mbërritura!

“Lista e 5 propozimeve më të mira, u vendos nga një Juri Ndërkombëtare e përbërë nga 5 anëtarë, të cilët janë: Rainer Hehl, Andreas Ruby, Anne Charlotte Malterre Barthes, Johan Anrys dhe Daniel Gjoni. Ndërkohë që Juria Finale në datë 21 Shkurt do të ketë 9 anëtarë, mes tyre edhe arkitektin e mirënjohur dhe me një eksperiencë mjaft të spikatur praktike dhe akademike, Milanezin Stefano Boeri”, tha Rama.

Më tej ai fton të gjithë qytetarët e Vlorës, që në prezantimin e 5 vizioneve për shndërrimin e Vijës Bregdetare të qytetit të Vlorës në një ndër pikat më tërheqëse të Mesdheut, ta ndjekin drejtpërdrejt nga Salla e Teatrit “Petro Marko”, por edhe nga një ekran i madh që do të vendoset në hyrje të tij, ditën e Premte, më datë 21 Shkurt, nga ora 10:30 deri në shpalljen e fituesit. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit