
Tiranë, 17 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri thirrje që brezi i ri dhe qytetarët e mbarë vendit ti bashkohen marshimit të 20 shkurtit kundër qeverisë.
Duke u ndalur në afrimin e rinisë pranë Partisë Demokratike, ai theksoi se kjo është një përtëritje e madhe, ndërsa shtoi se të rinjtë dhe të rejat po bashkohen me opozitën për ti dalë përpara qeverisë, në betejën që kjo e fundit i ka shpallur ligjit dhe themeleve të shtetit ligjor.
Kryedemokrati apeloi të rinjtë që të ngrihen për ti thënë ndal së keqes, duke shprehur besimin se ashtu si 23 vjet më parë rinia do të marshojë dhe do të jetë shumica në protestën kundër varfërisë dhe padrejtësive të shkaktuara nga mazhoranca.
Sipas tij mazhoranca aktuale po zhbën gjithçka që është ndërtuar me mund dhe përpjekje, duke vrarë demokracinë për të realizuar atë që kanë në mendje, shtetin e oligarkisë.
“Rinia dhe gjithë qytetarët e këtij vendi duhet të vijnë në marshimin e së enjtes, kundër politikës së fjalëve të bukura dhe gurëve në trastë. Kur vjen rinia fiton e ardhmja. Ne si opozitë e re kemi dashur të komportoheni me shumicën që kemi përballë, nuk kemi hequr dorë dhe nuk do të heqim dorë deri sa Parlamenti të mbetet mundësia e promovimit të vlerave tona. Por kursi i kundërshtarëve tanë, i Ramës dhe Metës na ka diktuar një betejë të ekzistencës ose jo të demokracisë sipas standardeve evropiane, ne jemi të vendosur ta çojmë përpara këtë betejë me çdo çmim. Javën e kaluar pasi u rrëzuan në Kushtetuese me aktin normativ për nëpunësin civil, shpallën ofensivën e re kundër Kushtetutës dhe administratës me një projektligj me të cilin synohet të zhbëhet fare ligji konsensual për nëpunësin civil. Me projektligjin e ri i hoqën maskat fare. E kanë patur me hile të gjithë diskursin për aktet nënligjore, e kanë patur me hile dhe e kanë me hile, ndaj duan të marrin dhe të zhbëjnë administratën publike, duke e kthyer në administratë partiake, duan të heqin profesionistët”, u shpreh Basha.
Ai theksoi se ky është një paralajmërim ogurzi i rikthimit të luftës së klasave me forma te reja.
Basha theksoi se pa konsensus më kot e presion opozitën, duke shtuar se “Na presin kot sa për të larë gojën. Pa konsensus ne do ti presim me Kushtetutë në dorë në sheshe”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





