
Duke folur për zhvillimin e ekonomisë ai potencoi rritjen që u është bërë rrogave prej 50 për qind, ndërsa tani ato do të rriten edhe për 20 për qind dhe kjo rritje do të vazhdojë çdo vit. “Në vendet e rajonit jo që nuk ka rritje, por pagat janë ulur”, tha kryeministri Thaçi, gjatë intervistës që dha për Radio Televizionin e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë që dha sonte (E diel) për Radio Televizionin e Kosovës, ka folur për të gjitha çështjet aktuale dhe ato historike të vendit tone, duke filluar nga krijimi i UCK, Konferenca e Rambujesë, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet me ish kolegët e partisë Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, marrëdhëniet me opozitën, zhvillimin ekonomik etj.
“Askush nuk mund të mohojë progresin ekonomik qe kemi arritur. Kemi bërë autostradën më të mirë në rajon, gjithashtu kemi bërë aeroportin më të mirë në rajon, ndërsa po fillojmë edhe autostradën tjetër me Shkupin”, pohoi Kryeministri Thaçi duke shtuar se autostradat janë bërë nga buxheti i Kosovës.
Duke folur për marrëdhëniet që ka ai me opozitën dhe strukturat e tjera shoqërore, kryeministri potencoi se ai shquhet për marrëdhëniet me gjithë këto struktura. “ Nuk kam asnjë armiqësi. Nëse dikush shquhet për marrëveshje politike për shtetbërjen e Kosovës, ai jam unë”, tha kryeministri duke përmendur të gjitha marrëveshjet me pozitën dhe opozitën që ka bërë që nga viti 2000, vit kur filloi jeta demokratike në vend.
Ndërsa i pyetur në lidhje me marrëdhëniet që ka me ish kolegun e tij të luftës dhe partisë, Fatmir Limaj, kryeministri Thaçi tha se ka marrëdhënie të qëndrueshme dhe korrekte.
“Unë kam raporte korrekte dhe konstuktive me të gjithë liderët si Haradinaj, Mustafaj, Pacolli dhe liderët e komuniteteve. Kam mardhënie me liderët e shoqërisë civile. etj. Jemi në demokraci dhe ata kanë të drejtë të kritikojnë. Unë nuk i marr si kritika personale”, vijoi kryeministri.
“Besoj që axhendat shtetërore do të jenë të përbashkëta me z Fatmir Limaj. PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2014. Me Limajn janë raporte korrekte dhe miqësore. I vlerësoj si z. Fatmir Limaj ashtu edhe z, Jakup Krasniqi. Opinionet e ndryshme politike nuk ndikojnë në raportet njerëzore’, tha ai.
“Në lidhje me sundimin e ligjit, kryeministri Thaçi ka theksuar se është kujdesur që në qeverinë e tij të mos ketë asnjë person që mund të ketë problem me ligjin. Kam bashkëpunuar mirë me EULEX dhe kemi arritur suksese konkrete. Do të vazhdojmë së bashku me moton zero ndaj krimit dhe korrupsionit. Do të punohet në të ardhmen që ky problem të ç’rrënjoset”, vijoi kryeministri Thaçi.
Thaçi; Data e zgjedhjeve, nga takimi i përbashkët
Viti 2014 është vit elektoral . Gjatë muajit mars do të mbyllet procesi për reformën zgjedhore dhe do të pasojnë hapat tjerë. Një konsultim i përbashkët do të sjellë edhe datën për zgjedhjet. Ka preferenca për data të ndryshme. Nuk kemi diskutuar për data ne ende si parti”, tha Kryeministri Thaçi.
“Qeveria e Kosovës është stabile. Parlamenti ka disa pështjellime. Por të gjithë jemi të interesuar për procese të planifikuara dhe mirëmenduar. Jo vendime befasuese por vendime të përbashkëta në mënyrë që viti 2014 të jetë edhe një vit I suksesit të Kosovës. Çdo tendencë e minimit të njëri-tjetrit është minim I Kosovës. Nuk na duhet radikalizmi”, tha në emisionin Debat të RTK-së Kryeministri Thaçi, duke shtuar se nuk kemi kohë për eksperimente sepse jemi në proces shtetndërtimi.
Në lidhje me bashkëpunimin që ka pasur me krerët e LDK, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën, ai tha se nuk dëshiron t’i personalizojë.
“Kam pasur bashkëpunim me z Sejdiu dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj për bashkëpunimin. Ne kemi shkuar bashkërisht në procesin e bërjes shtet të Kosovës. Nuk kam asnjë vërejtje rreth këtij bashkëpunimi. Ndodhën pastaj zhvillimet me Gjykatën Kushtetues dhe ne shkuam në zgjedhje. Ndodhën zhvillime të reja dhe kur u zgjodh kryetar Isa Mustafa kemi pasur bashkëpunim dhe kulturë të mirë komunikimi. Kemi punuar bashkë për ekonomi, njohjet dhe shumë gjëra tjera. Normalisht që kemi dallime por kjo klimë e bashkëpunimit është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo klimë qetëson situatën dhe u bën mirë edhe investimeve. Veprimet e pamenduara mirë nuk shkojnë në interes. Unë zotohem para qytetarëve se të gjitha veprimet do të bëhen në koordinim dhe bashkëpunim me gjithë spektrin politik”, pohoi Kryeministri.
Rreth problemit se Serbia po krijon një republikë serbe dhe kjo është akuza që po bëjnë opozitarët, kryeministri Thaçi tha se nuk mund të pranojë këtë akuzë nga disa njerëz që ishin në gjendje të nënshkruanin autonominë që në ditën e dytë të Konferencës së Rambujesë.
“Emra kësaj here nuk do të përmend për shkak se është një ditë festive dhe qytetarët e Kosovës po festojnë”.
Duke u përgjigjur pyetjeve rreth integrimit të serbëve dhe ndërhyrjeve serbe përmes partive nga Serbia, kryeministri tha se është legjitime që Serbia të interesohet për qytetarët serbë.
“Kosova edhe me kushtetutë lejon dyshtetësinë. Ne nuk rrezikohemi nga respektimi i të drejtave të pakicave, por nga mosrespektimi i tyre”, tha Thaçi.
Thaçi: 25 korriku bashkoi Kosovën
“Iu tregua qartë Serbisë se Kosova nuk mund të ndahet. U shua ëndrra e Serbisë. Pa këtë vendim nuk do të arrihej në këtë gjendje”, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se kjo gjithashtu aktivizoi gjithë diplomacinë ndërkombëtare.
Kryeministri ka folur gjithashtu për koordinimin që është bërë me bashkësinë ndërkombëtare. Thaçi ka përmendur kërkesën e Havier Solanës që shpallja e pavarësisë të shtyhej për një muaj për shkak të zgjedhjeve në Spanjë.
"Ne natyrisht nuk pranuam sepse thamë që zgjedhje në vende të Bashkimit Europian ka cdo muaj dhe nuk mund të shtyjmë. Dhe e shpallëm pavarësinë”, pohoi kryeministri.
Ai ka përmendur te gjitha momentet më të rëndësishme dhe jetike. ” Gjatë kësaj kohe kam pasur momente jetike qe kane qenë krijimi i UCK, konferenca e Rambujesë, Shpallja e Pavarësisë, etj. Gjithashtu vendimi i rëndësishëm ishte dhe dërgimi i Policisë në veri më 25 korrik. Ky vendim vuri në lëvizje gjithë mekanizmit ndërkombëtarë. Është dita e Bashkimit të Kosovës”, tha kryeministri.
“U treguar qartë Serbisë se Kosova nuk mund të ndahet. U shua ëndrra e Serbisë. Pa këtë vendim nuk do të arrihej në këtë gjendje”, tha Thaçi, duke shtuar se kjo gjithashtu aktivizoi gjithë diplomacinë.
“Për herë të parë shteti i Kosovës dhe i Serbisë takohen në nivel të barabartë dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë me parë. Takimet e Brukselit janë takime mes dy kryeministrave të pavarur”, pohoi ai.
Kryeministri Thaçi, pa Shqipërinë nuk bëhej asgjë
Përpjekjet një shekullore për pavarësi u kurorëzuan me pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Nga 1998 deri në 2008 janë vite krejt të veçanta për kombin shqiptar. Duke respektuar rezistencën e të gjitha brezave dhe UCK, ne arritëm që ti bindim se e vetmja zgjidhje ishte pavarësia e Kosovës. Ne këtë vit shënojmë 15 vjetorin e lirisë së Kosovës por edhe 6 vjetorin e pavarësisë, tha kryeministri Thaçi
Sipas tij, duhet kujtuar gjithë rezistenca duke filluar nga 1912, luftërat ballkanike, periudhat mes luftërave botërore, kryengritjen e Drenicës me 1945 për tu ndaluar te fillim vitet 90 dhe krijimin e UÇK.
Kryeministri përmendi vijën e kuqe të vënë nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetri, Presidentin Klinton, për tu ndalur tek mesazhi që dha Xhorxh Bush i riu nga Tirana.
“Dëshiroj të theksoj se bërja e Kosovës të pavarur ka qenë me plot sakrifica nga të gjithë njerëzit që kontribuuan, veteranët, invalidët, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta ndjejnë veten si çlirimtarë. Duhet të theksoj se pa kontributin e Shqipërisë nuk bëhej asgjë. Është një kontribut i jashtëzakonshëm”, tha në vazhdim kryeministri Thaçi në intervistën për Radio Televizionin e Kosovës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





