Transmetuar më 17-02-2014, 11:34

Prishtinë, 17 shkurt 2014, NOA.al- Shteti i Kosovës shënon sot 6 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, çka ka bërë që mbarë vendi të vishet me ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar dhe flamurit shtetëror, me ngjyrat verdhë e blu.

Në seancën solemne parlamentare të mbajtur enkas me 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi kujtoi se në të njëjtën sallë u finalizuan aspiratat dhe u vunë në jetë ëndrrat e një populli për liri.

“Sot kujtojmë me respekt të madh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e qytetarëve të Kosovës për liri. Kujtojmë dhe nderojmë punën e vazhdueshme të Presidentit Ibrahim Rugova si dhe përulemi me nderim para dëshmorëve. Ne kemi ditur si të marrim në dorë fatin e vendit tonë, ndaj falenderojmë gjithë shtetet që na mbështetën në kauzën tonë”, u shpreh Thaçi.

Në vijim ai shtoi se sfidat që presin përpara do të kapërcehen, ashtu siç u kapërcyen sfidat e një të shkuare jo të largët.

Nga ana e tij kryeparplamentari Jakup Krasniqi, tha se sot Kosova përulet me dinjitet përpara brezave të tërë që u shkrinë për atdhueun e tyre.

Jahjaga: Kjo ditë na bashkon të gjithëve

Ndërkohë pak para paradës ushtarake të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga e cilësoi shpalljen e Pavarësisë, si aktin më të rëndësishëm në historinë e vendit.

“Kjo është një ditë që na bashkon të gjithëve ne, qytetarë të shtetit të Europës dhe është dëshmi se fati ynë përcaktohet nga vetë ne, njerëz të barabartë të këtij vendi. Në këtë 6 vjetor duam të dëshmojmë se të gjithë ne po trashëgojmë idealin e brezave të tëra, për njerëzit që kërkojnë një të ardhme më të mirë. Vullnet i përbashkët i yni për të ecur përpara dhe gjithë atyre që na kanë ndihmuar në historinë tonë”, u shpreh Jahjaga.

Sipas saj 17 shkurti shënon historinë e pakthyeshme të pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se vendi u vendos në anën e drejtë të historisë.

Në vijim Kryeministri Thaçi vlerësoi Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke thënë se është koha kur duhet marrë siguria e plotë mbi shtetin, gjë që sipas tij do të thotë një plan i ri dhe një emër i ri.

Sipas tij ndan fare pak kohë nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, e cila do të ketë kapacitete, madhësi dhe përmasa të reja, duke mbrojtur interesin territorial të vendit.

Kryeminsitri theksoi se aftësia për të mbrojtur vendin është parakuusht për integrimin.

Sakaq me rastin e kësaj feste edhe monumenti i vendosur në qendër të Prishtinës “Newborn” është lyer me ngjyrat e uniformave të ushtarëve të vendeve që morën pjesë përkrah Kosovës për çlirimin e vendit.

Më 17 Shkurt, aktivitetet kryesore nisën rreth orës 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin “Nëna Terezë”, ndërsa qytetarëve do iu drejtuan me fjalën e rastit edhe udhëheqësit e vendit. Në vijim gjatë ditës, u bënë bëhen homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve.

Ndërkohë në një intervistë të tij Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se 6 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, rezultatet e konsolidimit të shtetit të pavarur janë tashmë të prekshme, pasi janë shënuar 106 njohje.

Thaçi uron Pavarësinë: Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar festën e Pavarësisë nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook.

Në urimin e tij Thaçi shprehet, “Të dashur qytetarë të Kosovës kudo që jeni,

Nga thellësia e shpirtit tim iu uroj Ditën e Pavarësisë dhe iu falënderoj secilin nga ju për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë. Urime shumë dhe Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.”

6 vjet Pavarësi, Nishani uron Jahjagën: I gëzohemi arritjeve të Kosovës

Me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Në mesazhin e Kreut të Shtetit thuhet, “Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Ditën e Pavarësisë, Juve dhe gjithë popullit të Kosovës!  Më lejoni t’ju ripohoj, Zonja Presidente, angazhimin tim e të vendit tim, në  intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik të marrëdhënieve që karakterizon Shqipërinë dhe Kosovën, për t’i shndërruar ato në model rajonal, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve tona, përmbushjes së aspiratave të përbashkëta eurointegruese, si edhe në ndihmë të kohezionit mbarëshqiptar”.

Në vijim Nishani shton se Republika e Shqipërisë i gëzohet arritjeve të mëdha shtetkonsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave.

Presidenti e mbyll mesazhin e tij me fjalët, “Duke ju shprehur konsideratën time më të lartë, si edhe dëshirën për t`Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, ju lutem pranoni edhe njëherë, e nderuar Zonja Presidente, urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për këtë festë të shënuar mbarëshqiptare!”

Berisha: Vepra më e ndritur e bijëve të kombit

Ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka uruar gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë, duke e cilësuar si veprën më të ndritur të bijëve dhe bijave të kombit.

Në mesazhin e tij Berisha shkruan, “Nderim përjetë arkitektit të Kosovës së pavarur Presidentit Rugova, komandantit legjendar, kryeheroit të kombit Adem Jashari dhe të gjithë atyre që vendosën rininë, jetën, në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mirënjohje të përjetshme SHBA, NATO-s dhe vendeve anëtare për çlirimin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar! Gëzuar!!”/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit