
Tiranë, 16 shkurt 2014, NOA.al- Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, në një deklaratë për media, ka reaguar për trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali. Ai është shprehur se Italia është në alarm për drogën që vjen nga Shqipëria, dhe që ka pushtuar brigjet e saj të jugut.
Ai ka cituar një intervistë për “la Gazzeta del mezzogiorno”, të një zyrtari të lartë të policisë italiane, i cili thotë se droga nga Shqipëria mbërrin në Itali me varka, peshkarexha, gomone, motoskafe. “Eshtë e pamundur të numërohet sasia që vjen në një muaj”, thotë i alarmuar Muscara.
Sipas Bumçit, Partia Demokratike ka qenë e para që ka dhënë alarmin për riaktivizimin e rrjeteve të drogës në vend, pas shkatërrimit që Edi Rama dhe Saimir Tahiri i bënë Policisë së Shtetit.
“Ne kemi denoncuar faktin se në policinë e shtetit janë shkarkuar masivisht profesionistët dhe janë zëvendësuar me militantë, por më e keqja ne kemi denoncuar se në poste kyçe janë caktuar persona të lidhur me krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.
Pasojat e kësaj “rilindjeje” të Policisë së Shtetit nuk kanë vonuar. Ja çfarë ndodh në Itali. Tani nuk e themi vetëm ne, por Policia e Republikës Italiane jep alarmin SOS. Policia e shtetit fqinj thotë se droga e Shqipërisë ka vërshuar me tonelata në brigjet italiane. Ky shqetësim vjen nga Italia fqinje, e cila ishte avokatja jonë më e fuqishme për liberalizimin e vizave”, është shprehur deputeti Aldo Bumçi.
Për të, ky është një lajm shumë i keq për Shqipërinë, dhe e kthen vendin në listën e zezë të tranzitimit të drogës. Sipas Bumçit, u deshën shumë vite punë, në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike për ta hequr Shqipërinë nga lista e zezë e Drogës, u deshën vetëm pak muaj të qeverisjes së Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në ditët e saj më të errëta, të tranzitimit të lëndëve narkotike, çka dëmton rëndë imazhin e vendit tonë.
“Pasiguria dhe kriminaliteti jo vetëm janë ulur këmbëkryq në Shqipëri por tani këto fenomene po kanosin edhe fqinjët. Partia Demokratike kërkon marrjen e masave urgjente, që ky trafik të ndalohet e Shqipëria të mos bëjë hapa mbrapa e të mos konsiderohet nga fqinjët dhe Europa si rrezik për rendin e sigurinë e tyre”, ka përfunduar Bumçi. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





