Transmetuar më 16-02-2014, 12:11

Tiranë, 16 shkurt 2014, NOA.al- Një 63 vjeçare ka humbur jetën në spitalin privat “Hygeia” në Tiranë. Familjarët e Luiza Latit kanë ngritur pretendimin se e afërmja e tyre ka humbur jetën për shkak të ndonjë pakujdesie të mundshme të mjekëve.

Ndërkaq ata i janë drejtuar policisë, duke bërë kallëzim penal në komisariatin numër 6 në Tiranë.

Luiza Lati nga Vlora ishte shtruar në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në veshka. Ajo humbi jetën mbrëmjen e djeshme pas një operacioni në veshka në këtë spital.

Veprimet e mjekëve të spitalit privat duket se nuk i kanë bindur familjarët të cilët menjëherë i janë drejtuar komisariatin nr 6 në Kombinat për të bërë denoncimin për mjekim të pakujdeshëm.

Duke folur me TV “A1 Report” familjarët kanë treguar në lidhje me operacionin në veshka, për të cilën është paguar shuma prej 10 milionë lekësh. Vetë pacientia kurohej prej një viti në këtë spital privat, pasi kishte probleme me një veshkë.

Familjarët shprehen se gjatë operacionit, Luiza Latit i është bllokuar aorta që kalon pas veshkës që ka komplikuar situatën.

Policia ka nisur hetimet dhe ka marrë deri më tani deklarimet që mjekët kanë bërë. Trupi i pajetë i Latit u dërgua në morg për t’iu nënshtruar autopsisë, e cila do të nxjerrë më pas edhe shkaqet e vërteta të vdekjes së saj.

Të kontaktuar nga A1Report, përfaqësues të spitalit  "Hygeia" nuk kanë dhënë komente rreth ngjarjes por kanë paralajmëruar të hënën bërjen publike të të dhënave dhe veprimeve të mjekëve që kanë pasur nën kujdes pacienten. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit