
Durrës, 16 shkurt 2014, NOA.al- Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë 5 shtetas të armatosur, gjatë kohës që transportonin një sasi prej 50 kg lënde narkotike të llojit kanabis sativa.
Rreth orës 2:00 të mëngjesit të datës 16 shkurt janë arrestuar në flagrancë: Rozart Biba, 24 vjeç; Avni Tuda, 32 vjeç; Arjan Lika, 29 vjeç; Ramazan Gjoni, 47 vjeç dhe Denis Dulaj, 25 vjeç.
Sipas burimeve nga policia bëhet e ditur se mbrëmjen e djeshme u realizua një ndërhyrje në segmentin rrugor Shijak-Durrës, gjatë së cilit, në automjetin tip Ford Galaxy me targa AA749 II u gjet e sekuestrua e vendosur në thasë sasia prej rreth 50 kg lëndë e thatë narkotike e llojit Kanabis Sativa. Njëkohësisht gjatë ndërhyrjes të arrestuarve iu gjetën e sekuestruan edhe 5 armë nga të cilat tre zjarri e dy gjahu.
Midis tyre ishin dy pistoleta së bashku me krehërat me fishekë; një armë zjarri automatik model 56 së bashku me krehërin me 130 copë fishekë dhe dy armë gjahu Shotgan
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, armët e gjetura si dhe automjeti me të cilin kryhej transporti.
Nga të dhënat hetimore të nxjerra gjatë hetimit rezulton se lënda narkotike ka pasur si origjinë fshatin Shetel të Durrësit dhe si destinacion tregun e brendshëm të qytetit, për shitje të dozuar.
Hetimi po vijon në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Lidhur me rastin u kryen veprimet e nevojshme proceduriale dhe materialet e para iu nisën Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Prodhim e shitje e lendeve narkotike” , “Mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të gjahut”. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





