Transmetuar më 15-02-2014, 10:40

Burrel, 15 shkurt 2014, NOA.al- Prej 5 ditësh 17 të burgosur në burgun e Burrelit janë futur në grevë urie.

Ata janë të burgosur të rinj në këtë burg, pasi janë transferuar në Burrel nga burgu i Lezhës.

Njëri prej të burgosurve nëpërmjet një telefonate ka bërë të ditur se ata janë futur në grevë urie për shkak të trajtimit çnjerëzor, që kanë nga gardianët e këtij burgu.

I dënuari tregon se trajtimi i tyre është në kundërshtim me të gjitha të drejtat e njeriut dhe ata nuk dinë ku të ankohen, ndaj janë detyruar të telefonojnë në media për ndihmë.

“Ne jemi futur në greve urie prej 5 ditësh pasi trajtohemi në mënyrë çnjerëzore nga gardianët. Kërkojmë që të trajtohemi si njerëz. Mbrëmë gardianët kanë ardhur të dehur dhe askush nuk e dëgjon zërin tonë. Jemi ankuar tek drejtuesit, por na thonë që të pushojmë e të mos e hapim gojën. Jemi ankuar edhe tek Avokati i Popullit, por askush nuk bën asgjë, duam të trajtohemi si të burgosurit  e tjerë”, kështu është shprehur njëri prej të burgosurve në burgun e Burrelit gjatë telefonatës së tij.

Ndërsa autoritet e burgut nuk kanë dhënë ende asnjë deklaratë nëse vërtet këta të burgosur janë në greve urie dhe cili është realisht trajtimi i tyre.  /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit