Transmetuar më 14-02-2014, 13:45

“Nëse doni të mbillni trëndafilin tuaj të dashurisë, mund ta bëni në çdo kohë, në kopshtin e dashurisë, para Galerisë së Arteve!” Bashkia e Tiranës u ka krijuar një mundësi të veçantë të gjithë atyre që duan të bëjnë një dhuratë, në ditën e Shën Valentinit. Para Galerisë Kombëtare të Arteve ka krijuar një kopësht me trëndafila, i quajtur “kopshti i dashurisë”. Çifte të shumta kanë pasur mundësinë të mbjellin trëndafilin e tyre të dashurisë, në këtë kopësht. Një ndër këto çifte ka qenë sot edhe aktori i mirënjohur, Llazar Filipi dhe bashkëshortja e tij, Valentina.

“Kemi pothuajse 62-63 vite që e festojmë, që nga dita e parë kur u njohëm në plazhin e Durrësit, ku unë kisha vajtur për të pushuar, pas përfundimit të studimeve për aktor, në Pragë. Atje, edhe Valentina, ime shoqe kishte ardhur me motrën e saj, në shtëpinë e pushimit të Artizanatit. Unë recitova një poezi mes të tjerëve dhe erdhën dy vajza dhe më uruan…

Më duket se ajo ishte një poezi lirike, e bukur por dashuria lindi pasi u njohëm aty dhe në shenjë të mos-harrimit të njeri-tjetrit, sepse kjo çerdhen e saj e kishte në Korçë. Shtëpinë e kishin ngjitur me shtëpinë e piktorit të madh Vangjush Mio.

Po ju, znj. Valentina, çfarë mendoni se e ka mbajtur gjallë këtë dashuri kaq vjeçare?

Sinqeriteti. Ishte një kohë e shkurtër, gjithsej kemi qëndruar 6 javë fejesë, njohje, martesë dhe atë ditë që unë do të kthehesha në Korçë hipa në tren (atëherë ishte treni) tek Plepat, në Durrës. Ky më vjen atje te treni dhe më jep një dhuratë të vogël. Kjo dhuratë është kjo dallëndyshe, dallëndyshja e dashurisë.

Kopshti i dashurisë, sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, do të jetë vendi ku qytetarët jo vetëm për Shën Valentin por gjatë gjithë vitit mund të mbjellin trëndafilin e tyre të dashurisë.

“Në simbolikë të kësaj dite, kemi mbjellë këtë kopësht që ne duam ta quajmë “kopshti i dashurisë”. Trëndafilat janë një dhuratë nga “Mega-Fiore“, në bashkëpunim me ndërmarrjen nr.1 të Bashkisë së Tiranës. Janë trëndafila që do qëndrojnë të çelur gjatë gjithë vitit, në simbol të dashurisë. Unë ju uroj një festë të mbarë e të gëzuar dhe kopshti i dashurisë do të jetë këtu, për të gjithë ju që dëshironi të mbillni në çdo kohë trëndafilin tuaj të dashurisë!” – u shpreh znj. Xhindi.

Aktori i mirënjohur shqiptar, Llazar Filipi ka një mesazh për të gjithë të rinjtë, sot:

“Njeriu mund të mos ketë ndoshta as para shumë, apo në gjendje të mesme por dashuria më e madhe e të rinjve ka qenë e mbetet dashuria për njeri-tjetrin. Është kjo pasuri shpirtërore që na ka mbajtur gjithmonë gjallë ndër vite, ne shqiptarëve dhe u uroj të rinjve që të martohen me dashuri e nëse kanë edhe vështirësi ekonomike ta kompensojnë me atë pasuri shpirtërore të dashurisë për njeri-tjetrin e kështu do ia dalin mbarë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit