Transmetuar më 14-02-2014, 02:25

Nga Milena Harito

Sigurisht, sot, të gjithë ata që kanë lindur pas viteve ’90 nuk e imagjinojnë më botën pa internet dhe e kanë shumë të vështirë ta imagjinojnë botën në të cilën jetonim ne, para internetit.

Në të vërtetë për transformimin social që ka sjellë interneti, duhet të përqendrohemi të gjithë se në çfarë mase, ky transformim social është i jashtëzakonshëm.

Një nga shembujt që jepet zakonisht është shembulli i revolucioneve në botën arabe, në gjithë pjesën veriore të Afrikës, i cili ndoshta do të ishte i paimagjinueshëm  pa internetin. Aksesi në informacion, që kishin njerëzit, mënyrën për t’u lidhur me njëri – tjetrin, për t’u organizuar. Ndoshta, në qoftë se interneti do të kishte ekzistuar dhe transformimi që ndodhi në Shqipëri në vitet ’90 do të kishte qenë shumë i ndryshëm.

***

Bota, sot, është krejtësisht e paimagjinueshme pa internetin, i cili, për fat të madh, është në duar të të gjithëve dhe nuk është i kontrolluar, siç ishin më parë mediat, nga grupe të caktuara.

Grupe të caktuara që sigurisht mediat i përdorin, në radhë të parë, për interesat e tyre, për interesin e grupeve që qeverisin, siç është normale në natyrën njerëzore. Por, ajo që ndryshon në mënyrë esenciale me internetin është që askush nuk e kontrollon dot më informacionin. Dhe kjo është fitorja e madhe, ndryshimi i madh, demokratizimi i madh i gjithë botës, që sjell interneti.

Sigurisht, si çdo gjë, do të ishte shumë bukur që gjërat që ndodhin  të kishin vetëm anë të mira, por asnjëherë nuk është kështu. Por bota është e mbushur me sfida dhe me vështirësi, të cilat na e bëjnë jetën më të vështirë, por edhe më interesante.

Të gjithë jemi dëshmitarë të lloj-lloj zhurmave, historive që përhapen në internet, të cilat askush nuk i kontrollon. Si për çdo media, është shumë e vështirë që kur një zhurmë, një histori, një keqpërdorim fillon e përhapet, është shumë e vështirë të tregosh që është ose jo i vërtetë.

Siç thoshte dikur një filozof francez, kur flitej për këtë çështje, “është e vërtetë që balta që hidhet në internet është e përkohshme, sepse nesër dalin gjëra të tjera, por njëkohësisht është edhe e përhershme, se duke qene se informacioni mbetet aty, dikush mund të shkojë ta rikontrollojë, ta nxjerrë dhe ta rinxjerrë përsëri”. Ky është çmimi për t’u paguar për lirinë e informacionit të cilën krijon interneti dhe kjo është një nga temat e rëndësishme për të cilën jemi mbledhur këtu.

***

Qeveria shqiptare është shumë e ndërgjegjshme për rolin e jashtëzakonshëm, për hovin e madh që teknologjia e informacionit dhe komunikimit mund të sjellë për zhvillimin e shoqërisë. Për këtë arsye jemi angazhuar fort për zhvillimin fuqishëm të shërbimeve të reja elektronike. Jemi duke ndërtuar sa më tepër shërbime qeveritare për publikun, të cilat janë të aksesueshme nga sa më shumë qytetarë.

Siguria, një sfidë e rëndësishme

Sigurisht një nga sfidat e internetit dhe shërbimeve që ofrohen përmes tij, dhe këtu vijmë në temën tonë të ditës, është që gjithë këto shërbime të ofrojnë siguri, sepse, për shumë arsye, ne jemi njerëz paksa mosbesues ndaj gjërave, mosbesues edhe ndaj njëri-tjetrit. Për fat të keq, shpeshherë, ndoshta edhe me të drejtë, kemi pasur një histori të gjatë e të ndërlikuar ngatërresash.

Që të përdorim shërbimet, na duhet që patjetër të kemi besim se këto shërbime janë të sigurta në shumë drejtime, qoftë në përdorimin e pagesave online, të cilat duhet të jemi të bindur se kanë garanci që nuk lejojnë abuzimet, qoftë në pikëpamje të mbrojtjes së të dhënave personale, sigurisë në lidhje me sulmet e ndryshme që vijnë nga interneti ndaj të dhënave tona.

Pra, është shumë e rëndësishme të ndjehemi të sigurt kur përdorim shërbimet. Kjo do të ishte faqja e tretë e sfidës, që shkon nga ofrimi i shërbimeve, ofrimi i aksesit dhe besimi tek përdorimi i shërbimeve, i cili që duhet të rritet edhe ky. Të gjitha këto shkojnë të gërshetuara bashkë dhe asnjëra nuk mund të avancojë, pa avancuar dhe dy të tjerat.

Siguria e fëmijëve

Të gjithë ata që kanë fëmijë, unë vetë kam fëmijë, e dimë që sot në internet, ata mund të kenë akses në çdolloj informacioni që,  kur ne ishim në moshën e tyre, as na shkonte në mendje që ekzistonte.

E tillë është bota sot. Edhe për këtë gjë duhen të merren masa, duhet të krijohen mekanizma, edhe teknikë, edhe rregullatorë, edhe kontrollues, në mënyrë që kjo gjë të jetë sa më pak e mundshme.

Sigurisht që është shumë e vështirë ta zhdukësh, por duhet të bëjmë gjithçka që të krijojmë mbrojtje për fëmijët, ndërgjegjësim për ta, ndërgjegjësim për prindërit, sepse shpeshherë kemi tendencën dhe kjo është natyra njerëzore, të mbyllim sytë para asaj që nuk duam ta shohim.

Edhe prindërit mund të kenë tendencën të mbyllin sytë para asaj që fëmijët mund të aksesojnë në internet, por duhet patjetër të ndërgjegjësojmë të gjithë opinionin publik, për rreziqet që mund t’u vijë fëmijëve në aksesin e informacionit në internet.

Në këtë sigurisht ka një rol të madh qeveria, me politikat e saj promovuese, por këtë gjë mund e duhet ta bëjë me institucionet e pavarura, në bashkëpunim të fuqishëm me ta në mënyrë që të ofrohen mekanizmat teknikë për mbrojtjen në internet, por edhe të kontrollojnë këto mekanizma teknikë.

Nevojitet një kuadër i përshtatshëm legjislativ

Nga ana tjetër, e gjithë kjo kërkon edhe një kuadër legjislativ të përshtatshëm. Ne, në këtë fushë që është një fushë e re në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, mbështetemi shumë në legjislacion evropian, në përgjithësi adoptojmë legjislacionin evropian, por duhet një përshtatje.

Duhet të përshtatemi me stadin e zhvillimit të shoqërisë sonë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, është një legjislacion që evoluon shumë shpejt, pra, duhet që edhe ne të përditësohemi.

Çështja e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë është një sfidë më vete, pasi duke qenë një fushë e re nuk është se ka shumë eksperienca, ndaj na duhen njerëz të përkushtuar, që kanë dëshirë të mësojnë dhe dëshirë që të jetë të gatshëm të mësojnë çdo ditë gjëra të reja.

* Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike së Shqipërisë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit