
Elbasan, 13 Shkurt 2014 NOA.al – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë sot në aktivin e degës së PD-së në Elbasan. Ndërsa qindra të rinj të këtij qyteti i janë bashkuar Partisë Demokratike të Shqipërisë, zoti Basha nuk e ka fshehur kënaqësinë për shpresën dhe optimizmin që ka rindezur PD-në tek mijëra të rinj të vendit që janë anëtarësuar në këtë parti gjatë këtij viti.
Anëtarësimet e reja në PD, në një kohë që kjo forcë politike është në opozitë, është shenja më e qartë sipas zotit Basha e besimit që kanë qytetarët tek kjo parti.
“Era e këtij afrimi të fuqishëm me Partinë Demokratike, e këtij brezi të ri tashmë nuk është thjesht një ndjesi, është një fakt. Me qindra dhe me mijëra anëtarësime të reja raportohen gjatë kësaj kohe anembanë Shqipërisë, dhe kjo është pikë së pari një votëbesim i madh është një shprehje e qartë e shpresës dhe besimit që këta bashkëqytetarë shohin tek Partia Demokratike, shohin tek ne, shohin tek ju” deklaroi Basha
Kryetari i PD, është ndalur në këtë aktiv edhe në situatën ekonomike në vend e diktuar nga mashtrimet, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e mazhorancës Rama -Meta. Zoti Basha kujtoi mosmbajtjen e premtimeve për shëndetësi falas, legalizime falas, degradimin e rendit dhe sigurisë në vend.
“Shëndetësia falas, më zë dhe figurë ka qenë premtim i kësaj qeverie, i kësaj maxhorance kur ishte në opozitë, para dy ditësh e dëgjuam zëdhënësin e Ramës për shëndetësinë, tek tha që ky do të jetë një proces që do të zgjasë shumë. Kur në fakt as buxheti dhe as plani afatmesëm buxhetor dhe as strategjia afatgjatë e kësaj qeverie për cka është e shkruar sepse strategji dhe vizion nuk kanë dhe nuk ka asnjë fjalë të vetme për shëndetësinë falas.
"E njëjta gjë për legalizimet, – u ndal Basha edhe në këtë argument, duke shtuar: "Sot me qindra e me mijëra shqiptarë jo vetëm që nuk shohin asnjë hap në drejtim të legalizimeve, por shohin pronat e tyre të ligjshme nën kërcënimin e vazhdueshëm të tritolit dhe buldozerëve arbitrare dhe antiligjore të qeverisë. Dështimet në gjendjen e sigurisë rrugore ku numri i aksidenteve është rritur frikshëm, deri tek ruajtja e pronës dhe jetës së qytetarëve që gjenden para nje shthurjes totale të policisë dhe kërcënimit masiv të krimit dhe kriminelëve. Një dështim I paralajmëruar. Çfarë të bëjmë?! Të presim që gjërat të shkojnë keq e më keq?! Jo. Të fërkojmë duart?! siç fërkonte duart Edi Rama kur bllokonte statusin, kur shpresonte që të mos futeshim në NATO, siç fërkonte duart kur shpresonte që shqiptarët të mos fitonin të drejtën për të mos lëvizur të lirë, Jo, demokratët nuk e kanë bërë kurrë. Nuk është kjo opozita jonë. Nuk është ky modeli ynë. Nuk është kjo palca politike e demokratëve.”- deklaroi kreu i demokratëve.
Zoti Basha është ndalur dhe tek situata ekonomike me të cilën sic tha ai, përballet sot çdo qytetar shqiptar të cilit i duhet të paguajë më shumë.
“Premtimi se 97 % e shqiptarëve të paguanin më pak në fakt u kthye ashtu siç paralajmëruam ne se çdo shqiptar po paguan dhe do të paguajë më shumë. Më shumë prej karburantit të rritur, më shumë prej faturave aforfe, më shumë prej gjobave të paligjshme e arbitrare, më shumë prej kostos së jetesës më të rritur me çmime më të larta ndërkohë që papunësia ka filluar të shpërndahet si njolla e vajit mbi ujë duke iu ofruar një kërcënim edhe më të madh për stabilitetin ekonomik të familjeve shqiptare në vend të 300 mijë vende të punës që tashmë janë bërë një legjendë që edhe ata vetë nuk e besojnë. Çfarë të bëjmë?! Ti japim më shumë kohë të keqes?! Është absurde” -tha Basha.
"Në këto katër muaj sa herë që jemi çuar dhe kemi thënë ndal me forcën e plotë të PD dhe qytetarëve shqiptarë, tha zoti Basha, ia kemi dalë të triumfojmë. Ia doli rinia me Jo-të e shkruar në faqe e duar të bllokonte papërgjegjshmërinë e kryeministrit arbitrar. Sot në parlament u spraps pas kërcënimit paradoksal që bëri për bllokimin e transportit publik anë e mbanë Shqipërisë".
Çdo qytetar shqiptar, sipas zotit Basha, ka sot arsye të mjaftueshme për t’ju bashkuar me 20 shkurt marshimit të protestës. “Për ti thënë ndal abuzivizmit, arrogancës, korrupsionit, varfërisë, papunësisë, taksave të larta, çmimeve të larta, me 20 shkurt në orën historike 14.00 në sheshin historik Skënderbej, në marshin tonë të protestës popullore. Të gjithë së bashku në luftën e drejtë opozitare për të shembur nga themelet antivlerat që po na i imponon ky pushtet” – deklaroi lideri i opozitës, Lulzim Basha. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





