Transmetuar më 14-02-2014, 06:26

Një analizë e plotë mbi situatën e rrugëve në Shqipëri dhe transportin publik. Opinionet e qytetarëve që përballen me situata nga më të pakëndshmet. Përvoja ndërkombëtare në standardet e rrugëve dhe mënyrat e transportit publik. Flasin ministrat Edmond Haxhinasto dhe Saimir Tahiri

Nga Edison Kurani – Independent Balkan News Agency

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, shpallën këto ditë një strategji të re për transportin në Shqipëri. Kjo strategji vjen përmes një pakete të posaçme masash për sigurinë rrugore, duke kryer ndërhyrje ligjore në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal.

Këto ndryshime vijnë në përpjekje për të frenuar numrin e shtuar të aksidenteve rrugore që kohët e fundit kanë shkaktuar shumë të vdekur e të plagosur në rrugët e Shqipërisë.

Z.Haxhinasto shpjegoi disa nga ndryshime më të rëndësishme që vijnë në këtë paketë masash.

Shërbimi i kontrollit të automjeteve i cili në pjesën më të madhe të vendit kontrollohet nga shteti, do të liberalizohet. Kjo do të bëhet me qëllim që të shmanget korrupsioni. Shumë njerëz, për shkak të radhëve të gjata në pikat e kontrollit të automjeteve, por edhe sepse automjetet e tyre shpesh kanë probleme teknike, paguajnë nën dorë shuma nga 10 deri në 50 euro tek kontrollorët që të marrin lehtësisht certifikatën e kontrollit të automjetit.

“Do të liberalizojmë tregun, me qëllim që të përmirësojmë shërbimin për kontrollin e automjeteve. Do ta bëjmë sistemin të paprekshëm dhe të pathyeshëm nga korrupsioni që ekziston sot dhe do të vendosim elementë të ri sigurie në kontrollin e automjeteve”, tha ministri Haxinasto.

Ndryshime do të ketë dhe në testimin e personave që pajisen me leje drejtimi automjeti. Haxhinasto thotë se do të shmanget edhe këtu korrupsioni: “Do të kemi një metodologji shumë konkrete, që askush të mos abuzojë me ata që janë persona të aftë dhe mundet të marrin provimin, qoftë në praktikë, qoftë në teori. Pra, që t’i japim fund një herë e përgjithmonë pagesave nën dorë, që e dimë të gjithë që janë praktikë që sot realizohet”.

Në të vërtetë dukuria korruptive para disa vitesh ka qenë goxha e përhapur tek pajisja me patentë makine. Në testimin me shkrim jepeshin shuma deri në 100 euro për të marrë piëkt e mjaftueshme. E njëjta gjë ndodhet edhe tek testimi praktik.

Prej disa vitesh qeveria e kaluar futi testimin elektronik që e frenoi pjesërisht korrupsionin.

Qeveria e re, thotë se do të vendosë një sistem të ri për të zhdukur dukurinë, por nuk jep detaje konkrete.

Në rrugët e vendit, një pjesë e aksidenteve kanë ardhur pikërisht për arsye se drejtuesit e makinave kanë marrë patenta fiktive.

Në përpjekje për të shmangur aksidentet që vijnë nga luhatjet mendore të njerëzve, qeveria ka vendosur që të fusë në zbatim një testim të ri. “Ne do të prezantojmë edhe një testim tjetër të domosdoshëm në procesin e aftësimit, që është testimi psikofizik. Mendoj se është një mjet shumë i rëndësishëm për të dalluar aftësinë e individëve që hyjnë në procesin e testimit, gjithmonë në funksion të aftësive të tyre për të drejtuar automjetet dhe për të mos shkaktuar aksidente së pari ndaj vetes së tyre, pastaj ndaj të tjerëve”, – shpjegon z.Haxhinasto.

Sinjalistika, një papërgjegjshmëri e të gjitha qeverive

Rreth 10 vjet më parë kur në veri të vendit ndodhi një aksident fatal me të paktën 20 të vdekur, problem kryesor që u evidentua, ishte mungesa e taelave orientuese në rrugët nacionale dhe rurale.

Pak ditë më pas, ministri i atëhershëm i Transportit, Spartak Poçi nxitoi të shpenzojë një fond për vendosje sinjalistike në rrugët nacionale të vendit.

Sot, sinjalistika rrugote ekziston pjesërisht. Në shumë rrugë nacionale dhe rurale ajo mungon duke shkaktuar mungesë orientimi sidomos për banorët jashtë këtyre zonave dhe turistët e huaj.

Për më tepër, mungesa e sinjalistikës është burim aksidentesh rrugore.

Por a ka faj vetëm shteti për mungesën e tabelave orientuese. Një vëzhgim i IBNA në rrugët nacionale që lidhin Tiranën me Durrësin, Tiranën me Elbasanin dhe Tiranën me Kukësin, evidenton faktin se janë në shumë raste banorët e zonave që shkatërrojnë sinjalistikën. Ata vjedhin tabelat për fitim modest. Kompanitë që shpesh blejnë nga hajdutët ordinerië elementet e sinjalistikës, i përdorin ato për riciklim a qëllime të tjera.

Në disa raste, trafikndarëset, siç ndodh tek autostrada Durrës-Kukës, shkulen që të krijohen rrugë të shkurtra për të hyrë në fshatrat përreth.

Qeveria aktuale thotë se do të jetë e vëmendshme ndaj mungesës së sinjalistikës në rrugë dhe elementëve të tjerë të sigurisë. Haxhinasto pohon se është parashikuar në buxhetin e këtij viti 6 milionë dollarë vetëm për sinjalistikën, e cila do të vendoset në mënyrë prioritare në ato zona që janë më të rrezikshmet, me qëllim për të kontrolluar më mirë trafikun në ato zona.

“Do ta ruajmë rrugën nga dëmtimet, nga vjedhja e elementëve të sigurisë, të sinjalistikës, duke forcuar masat përkatëse, ndëshkimet përkatëse”, – thotë ministri Haxhinasto.

Rrugë pa standarde dhe gjoba “pa doganë”

Në përpjekje për të arkëtuar sa më shumë para nga përdoruesit e mjeteve, Ministria e Brendshme ka lëshuar në rrugë një numër të madh policësh të cilët ndëshkojnë pareshtur qytetarët, për shkelje të ndryshme. Gjobat nisin nga 7 euro deri në 1 500 euro dhe heqje të patentave deri në dy vjet. Kot masa të ashpra kanë ngjallur zemërim tek qytetarët. Për më tepër, nëse gjobat e vendosura nuk paguhen brenda 5 ditëve, mbi qytetarin rëndon dhe një kamatë shumë e lartë. Kurse nëse tentojnë të udhëtojnë jashtë vendit, u ndalohet kalimi nëse s’kanë paguar gjobat.

Gjobat më shumë vendosen për parkim të gabuar, vendosje të rripit, mosrespektim të sinalistikës rrugore, shpejtësi tej limiteve.

Por qytetarët thonë se situata në rrugë është e papranueshme dhe gjobat që vendosen, të padrejta. Për më tepër, shumica e gjobave vendosen kur shoferët nuk janë të pranishëm.

Adriatiku është një 36 vjeçar që banon në Tiranë. Ai ka marrë disa gjoba, pjesa më e madhe e të cilave, pa dijeninë e tij. “Unë e kuptoj që qeveria do të mbushë arkën me ne, por jo kështu. Mendoni, rrugët janë të shkatërruara, trafiku i tmerrshëm, rrugët shumë të ngushta, vende për parkim nuk ka thuajse fare sepse ato zaptohen nga taksitë dhe dyqanet përpara tyre dhe këta të gjobisin deri dy tre herë në ditë. Vërtet ne duhet të zbatojmë rregullat, por shteti a nuk duhet të mbajë përgjegjësitë e veta? Ne jemi taksapagues, jo skllevër të shtetit”.

Foto për transparencë, po privatësia ku shkoi?

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, thotë se gjobat që po vendosen për të vendosur standarde në përdorimin e rrugës. Në kuadrin e përpjekjeve për transparencë, Tahiri thotë se ka nisur fotografimi i shkelësve dhe njoftimi nëpërmjet postës, të shkeljeve së bashku me fotografinë.

“Kjo, nga njëra anë, sanksionon barrën e provës që ka Policia e Shtetit për të dokumentuar shkeljen dhe nga ana tjetër eliminon çdo abuzim të mundshëm, qoftë edhe praktikë korruptive nga ana e Policisë së Shtetit. Siç eliminon edhe argumentet e tepërta apo diskutimet e tepërta ndërmjet qytetarit dhe punonjësit të policisë, në rastet kur ka probleme me pranimin ose jo të shkeljes”, – thotë Tahiri.

Por juristët vlerësojnë se nisma të tilla shkelin privatësinë e njerëzve madje janë të paligjshme. Juristja e njohur Brikena Kasmi, ish zëvendësministre e Drejtësisë, thotë se kemi të bëjmë me veprime të paligjshme duke theksuar se policia po implikohet në veprime të paligjshme kundër qytetarëve:

“Fotografimi i makinave është përpunim të dhënash personale tërësisht i jashtëligjshëm nëse personi nuk jep pëlqimin”. Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008, thotë se “Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private”. Ligji  sanksionon se “të dhënat personale përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin”.

Sa shumë këmbësorë gjejnë vdekjen në rrugë

Shqipëria ka numrin më të madh në botë për aksidente ku përfshihen këmbësorë dhe kalimtarë. Këtë e pohon edhe ministri Tahiri: “Mund të them që kemi numrin shumëfish më të lartë, në krahasim me çdo vend tjetër të rajonit dhe të botës, të aksidenteve ku përfshihet një këmbësor”.

Në fakt për vitin 2013, në 295 fatalitete nga aksidentet, 93 aksidente përfshijnë një këmbësor.

Arsyet gjenden në shumicën e rasteve te gabimet që bëjnë këmbësorët, si kalimi mespërmes autostradës, kapërcimi i trafikndarësve, mosrespektimi i sinjalistikës në rrugë, etj.

Lamtumirë furgonë?

Qeveria ka vendosur që të largojë nga rrugët të gjithë furgonët e pasagjerëve. Ministri Tahiri konfirmon se “do të eliminojmë njëherë e mirë transportin me furgon”. Tahiri pretendon se furgonët “përbëjnë shkak për aksidente, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve”.

Ministri thekson se heqjen e furgonëve qeveria po e trajton si një masë sigurie të domosdoshme, për të parandaluar aksidente me pasoja të rënda ose fatale për jetën dhe shëndetin e njeriut”. Z.Tahiri njoftoi se “Policia e Shtetit do të fillojë menjëherë nga puna për ndalimin e transportit të qytetarëve me furgonë”.

Transporti rrugor, sa larg standardeve europiane

Rreth dy dekada e gjysmë pas shembjes së diktaturës, Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë, ku transporti, veçanërisht ai ndërqytetas të jetë i sigurt, me mjete të certifikuara, me mjete të sigurta.

Transporti duhet të jetë i skeduluar, pra me kohë nisjeje të saktë dhe me kohëmbërritje të saktë, me drejtues automjetesh të certifikuar për këtë qëllim dhe me cilësi automjetesh të larta, ashtu siç i ka rajoni i Ballkanit dhe më gjerë e gjithë Evropa.

Kjo është shumë e thjeshtë të bëhet: Duke bërë gjithsecili, çdo përdorues mjeti dhe çdo dhënës shërbimi, detyrën që i takon sipas ligjeve që ka vendi. Në këtë mënyrë do të stabilizohej një situatë totalisht anarkike në sektorin e transportit publik të udhëtarëve. Dhe nëse kjo do të bëhet, është e nevojshme të ndodhë sa më shpejt, sepse ndërsa autori i këtyre radhëve përgatit këtë raport, një tjetër aksident fatal ka ndodhur dhe të tjerë mund të ndodhin në ditët në vijim, nëse i referohemi panoramës tragjike të kohëve të fundit.

Pse përvoja ndërkombëtare nuk vlen në rastin e Shqipërisë

Është lehtësisht e kuptueshme se me zhdukjen e furgonëve, menjëherë do të gjallojnë autobusët që deri tani vetëm tek-tuk gjenden në udhëtimet ndërurbane. Ashtu siç ndodhi vite më parë me furgonët në Tiranë që Rama i fshiu “nga faqja e dheut”, edhe këtë radhë, pronarët e kompanive që ofrojnë transport me autobusë do të fërkojnë duart, në mos kanë nisur ta bëjnë.

Në këtë mënyrë, qytetarët do të duhet të përballen me udhëtime rraskapitëse. Ndoshta pak më lirë, por me më shumë rrezik ndër sy dhe stërmundim udhëtimi. Sepse në Shqipëri ende nuk ka një autostradë të mirëfilltë, por vetëm disa autostrada dhe superstrada copë-copë, diku të asfaltuara, diku në punime, diku të shtruara e diku të shkatërruara.

Për më tepër, pjesa më e madhe e rrugëve në vend janë në zona malore e kodrinore, si në veri ashtu dhe në jug, si në Shqipërinë e Mesme ashtu dhe në juglindje. Këto rrugë plot kthesa, janë rrezik evident për autobusët.

Mjaft të kujtosh faktin se vitet e fundit, pjesa më e madhe e aksidenteve ku janë përfshirë autobusë, kanë përfunduar me numër të madh viktimash dhe ato kanë ndodhur pikërisht për shkak të rrugëve plot kthesa dhe të mjerueshme.

E nëse i referohemi shifrave statistikore të aksidenteve të raportuara në media, numri i aksidenteve ku janë përfshirë furgonë është inferior ndaj totalit të aksidenteve që ndodhin.

Dhe përderisa ministri Tahiri urdhëron “tani dhe menjëherë” zhdukjen e furgonëve, më së paku duhet të justifikojë vendimin e tij. Sepse deri sot, nuk ka asnjë provë të paktën të bërë të ditur publikisht, se furgonët janë shkaktarët kryesorë dhe kyç të aksidenteve tragjike. Ajo që dihet sikurse thamë është vetëm se ka përfshirje në një pjesë të aksidenteve edhe të furgonëve të udhëtarëve dhe atyre për transport mallrash.

E vërteta është se praktika ndërkombëtare në këto 20-30 vitet e fundit i ka mënjanuar furgonët.

Por ndryshe nga Shqipëria ku politika është treguar krejt e papërgjegjshme duke mos arritur asnjë standard të BE, vendet e Europës dhe më gjerë, kanë krijuar dhe ruajnë rigorozisht, standarde optimale për transportin rrugor.

Për më tepër, ato kanë jo vetëm rrugë me standarde, por edhe sistem shumë të mirë transporti: kanë trena me shumë orë lëvizjeje dhe çmime modeste, kanë autobusë komodë për udhëtime ndërurbane, disa prej tyre kanë sistemin e metrosë jo vetëm për lëvizje urbane por edhe ndërqytetëse, pa folur pastaj për plot alternativa të tjera qarkullimi, si trami qytetës, makinat me çmime plotësisht të përballueshme për rrogat e qytetarëve të tyre, etj.

Ndërsa po të hedhim sytë nga fqinjët në rajon, si Turqia, vërejmë se furgonët janë mjeti kryesor i lëvizjes së udhëtarëve për rrugëtime urbane, ndërurbane dhe rurale. Edhe pse sistemi i rrugëve në Turqi, vitet e fundit është përmirësuar shumë, këto mjete vazhdojnë të jenë kryesoret në qarkullimin e udhëtarëve, duke mbajtur në një nivel më të lartë, standardet e komoditetit të lëvizjes. /ibna/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit