Transmetuar më 13-02-2014, 12:36

Tiranë, 13 shkurt 2014, NOA.al- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka akuzuar qeverinë se po hesht duke mos marrë përgjegjësinë që i takon përballë qytetarëve dhe transportit urban. Nëpërmjet një deklarate për mediat, numri dy i bashkisë së Kryeqytetit u shpreh se,“deri më sot, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e qeverisë për problematikën e transportit urban dhe siç e dini, nesër është paralajmëruar një grevë tjetër e Shoqatës së Transportit”.

Sipas tij, “qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të mos dëgjojë problematikën e bërë prezente prej muajsh tashmë; qeveria ka zgjedhur gjithashtu të mos dëgjojë qytetarët, të cilët ditë për ditë kërkojnë që çmimi i biletës të mos rritet; qeveria nuk dëgjon as Shoqatën e Transportit Publik, e cila kërkon zgjidhje për rritjen e kostove të shërbimit të tyre, të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit; qeveria nuk ka dëgjuar dhe vazhdon të mos dëgjojë as Bashkinë e Tiranës që prej dy muajsh i ka propozuar mënyrën më të mirë për të zgjidhur këtë çështje”.

Heshtja,- tha Bozdo, – nuk mund të mbulojë përgjegjësinë që qeveria ka ndaj qytetarëve, prandaj edhe njëherë, Bashkia e Tiranës i kërkon qeverisë të ndërmarrë vendimin e duhur, i cili është një dhe vetëm një, subvencionim i operatorëve të transportit publik dhe jo rritje të çmimit të biletës, e cila do të rëndonte mbi xhepat e qytetarëve. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit