
Vlorë, 13 shkurt 2014, NOA.al- (Përditësuar) I ka dhënë fund arratisë njëri prej të akuzuarve si bashkëpunëtor i “Bandës së Tritolit”. Sot është vetëdorëzuar në policinë e Vlorës Andon Mëhillaj.
Pas dorëzimit ai ka mohuar të ketë lidhje me vrasësin Julian Sinanaj, duke u shprehur se nuk e njeh.
Mëhillaj ka kërkuar siguri për familjen e tij, duke u nisur edhe nga ngjarja e ditëve të fundit në banesën e tij në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ku shpërtheu një sasi eksplozivi.
Kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj u shpallën në kërkim nga policia pas arrestimit të Julian Sinanajt.
Sipas dëshmive të dhëna nga vetë Sinanaj ata dyshohet të jenë “sekserët” që ndërmjetësonin mes porositësve të vrasjeve të kryera nga Sinanaj, ky i fundit ka deklaruar se për llogari të kushërinjve Mëhillaj ka kryer të paktën dy vrasje.
Sipas Policisë së Shtetit, nga kushërinjtë Mëhillaj është porositur te Julian Sinanaj kryerja e krimeve: vrasja e shtetasit Sokol Veizi më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasja e shtetasit Agron Çela më datë 20 gusht 2013 në Vlorë, vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi më datë 1 qershor 2013 në Vlorë; vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E. B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013 dhe vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E. B. në Vlorë më datë 31 gusht 2013.
Dy kushërinjtë Mëhillaj para pak ditësh janë shpallur si dy më të kërkuarit nga zyra e Interpolitit në Shqipëri.
Tashme mbetet ende në kërkim ndërkombëtar kushëriri i Andon Mëhillajt, shtetasi Genis Mëhillaj i ditëlindjes, 24 nëntor 1970.
Vetëdorëzimi i Andon Mëhillajt
Policia bën të ditur detajet sesi u arrit vetëdorëzimi iAndon Mëhillajt.
Sipas policisë për dorëzimin e Andon Mëhillajt kanë nisur negociatat natën e mbrëmshme mes avokatit të Andon Mehillajt, Edmon Dema dhe prokurorit Kosta Beluri.
Nga këto negociata sot në orën 9:30 Andon Mëhillaj është vetëdorëzuar në polici.
Pas marrjes në pyetje në Policinë e Vlorës, Andon Mëhillaj është nisur drejt Tiranës, pasi çështja e tij do të ndiqet nga Krimet e Rënda në Tiranë
Avokati: Andon Mëhillaj s’ka lidhje me akuzat, Sinanaj e ka përndjekur
Pas vetëdorëzimit në Policinë e Vlorës të Andon Mëhillajt, pak orë më pas avokati i tij Edmond Dema ka folur për mediat duke treguar rreth deklaratës së bërë nga klienti i tij, në polici.
Sipas avokatit Dema, klienti i tij Andon Mëhillaj ka deklaruar në polici se nuk ka lidhje me ato çfarë janë thënë në media, në adresë të tij. Avokati bën të ditur se Andon Mëhillaj është vetë dorëzuar në polici për të treguar të vërtetën dhe për tu përballur me drejtësinë në lidhje me akuzat e pa drejta që i janë bërë.
“Andon Mëhillaj nuk ka lidhje me boten e krimin dhe nuk ka pranuar asnjë akuzë duke u shprehur se nuk ka dhënë urdhër për asnjë vrasje. Situata e Mëhillajt është rënduar nga shtypi”, është shprehur avokati Dema.
Më tej ai thekson faktin se klienti i tij nuk ka qenë i dënuar më parë dhe bën një jetë të rregullat familjare dhe është baba i dy fëmijëve.
Mëhillaj i ka kundërshtuar të gjitha akuzat që janë bërë në polici, por nuk ka mohuar faktin se e njeh Julian Sinanajn. “Ka patur njohje me Sinanaj, por jo të asaj shkalle dhe në atë kohëzgjatje të madhe që ka pretenduar Juliani. Ka patur një periudhë kohe të gjatë kur ata nuk kanë folur, ka qenë nën kërcënimin e Julianit për pak kohë. Andoni ka qenë i përndjekur nga ana e Julianit”- deklaroi avokati.
Gjithashtu avokati ka hedhur poshtë pretendimet se Andon Mëhillaj ka kaluar kufirin shqiptar, pas arrestimit të Julian Sinanajt, duke siguruar se gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në Vlorë. “Gjatë kësaj kohe Andoni ka qenë në Vlorë. Këmbëngulja për tu vetëdorëzuar ka qenë e tij. Dorëzimi i tij nuk është nga frika, por vetëdorëzim i ndërgjegjshëm. Nga ana e policisë është ofruar ndihma që për familjen e tij do ti qëndrojnë afër.”- u shpreh avokati. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





