



Gjirokastër, 13 shkurt 2014, NOA.al- Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pas një pune hetimore disa javore dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara se disa shtetas nga Tepelena dhe nga Fieri po ushtronin veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, dje kanë zhvilluar operacionin e koduar “Falsifikatorët”.
Si rezultat i operacionit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve, Shpëtim Hilaj, i datëlindjes 1974, banues në Fier, Riza Tafili , i datëlindjes 1986, banues në Tepelenë, Kleant Qeriza, i datëlindjes 1991, banues në Tepelenë dhe Aldo Pata, i datëlindjes 1993, banues në Tepelenë, i dënuar më parë për vjedhje.
Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, duke falsifikuar Euro prerje 20-çe dhe më pas i hidhnin në qarkullim në qytete të ndryshme .
Në hyrje të qytetit Gjirokastër këta shtetas janë kapur në flagrancë nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar, dhe gjatë kontrollit të ushtuar në automjetin e tyre poshtë sediljes së shoferit u gjetën 1.680 Euro prerje 20-çe, me një numër serie.
Si dhe 20 euro po me të njëjtin numër serie iu gjetën në xhep shtetasit Shpëtim Hilaj.
Sasia e Eurove dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrjetit të falsifikimit të Eurove. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





