
Këshilli i Ministrave zhvilloi të mërkurën mbledhjen e radhës, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Qeveria vendosi në mbledhjen e sotme identifikimin e sipërfaqes së tokës prej 25 000 ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave.
Qeveria vendosi ndër të tjera në mbledhjen e sotme që:
1. Në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të kalojë një sipërfaqe toke prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore.
2. Ngarkohen Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronës, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, pranë këshillave të qarqeve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të identifikojnë dhe të vlerësojnë sipërfaqen e tokës, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
3. Lista për sipërfaqen e tokës në përdorim të njësive të qeverisjes vendore, që do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duhet t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave pas përfundimit të saj.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi” thuhen në vendimin e e zbardhur në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Këshilli i Ministrave gjithashtu miratoi në parim marrëveshjen e financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, të përfaqësuar nga Komisioni Eropian, për programin kombëtar për vitin 2013, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit, komponenti “asistenca e tranzicionit dhe forcimi institucional”.
VENDIMET E PLOTA
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj foli pas mbledhjes:
Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku ndër të tjera janë miratuar 17 vendime, që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e komunitetit të BE, teksa ne jemi në procesin e anëtarësimit.
Janë 17 vendime në fakt që aplikojnë të gjitha detyrimet që ne kemi në lidhje me BE, kur vjen puna tek tregu i punës dhe liberalizimi i tregut të punës. Kjo do të thotë që me hyrjen në fuqi të këtyre vendimeve, ne kemi zbatuar dhe kemi filluar zbatimin,- pavarësisht situatës me statusin dhe teksa jemi në pritje të konfirmimit të statusit kandidat,- ne kemi përafruar Shqipërinë në dy kapituj, kapitullin 2 dhe 24.
Kapitulli 2 ka të bëjë me çështjet e lirisë së lëvizjes së punëtorëve, në të gjithë tregun e përbashkët evropian. Kurse kapitulli 24 ka të bëjë me të drejtat, liritë e siguritë e individëve në territorin e Bashkimit Evropian. Kjo është një përpjekje e qeverisë tonë, sipas porosisë së kryeministrit, që pavarësisht situatës me statusin kandidat, të gjitha ministritë kanë vijuar përafrimin e legjislacionit, në mënyrë unilaterale, për secilin prej kapitujve që ne do të duhet të negociojmë zyrtarisht me pasjen e statusit kandidat.
Dua të theksoj se këto 17 marrëveshja janë një pararendje e liberalizimit të tregut të punës, që ne synojmë ta bëjmë edhe me vende të tjera, sidomos me Kosovën, pas mbledhjes së Prizrenit. Duke filluar nga ky muaj, ne do të kemi një seri reformash legjislative në tregun e punës, çka do të thotë, që ne do të liberalizojmë tregun e punës nga Mitrovica në Gjirokastër. Do të thotë që çdo shtetas i Republikës së Kosovës apo të Shqipërisë do të mund të punojë, i pakufizuar nga leja e punës, në këtë hapësirë gjeografike, Nga Mitrovica në Gjirokastër. Ky besoj është një lajm shumë i mirë dhe një projekt konkret, pas mbledhjes së Prizrenit.
Dua të theksoj se kemi ngritur një grup pune, i cili do të synojë liberalizimin e tregut të punës, pra heqjen e kërkesave dhe kuotave për lejet e punës. Gjithashtu, për të gjithë të rinjtë që vijnë nga Lugina e Preshevës dhe dëshirojnë të punojnë në Republikën e Shqipërisë.
Ministrja e Integrimit Klajda Gjoshaj gjithashtu foli për mbledhjen e qeverisë:
Më lejoni, që në radhë të parë të përgëzoj edhe ministrin e Mirëqenies Sociale për të gjithë punën e bërë, në kuadër të plotësimit të gjithë kërkesave dalë edhe nga Progres Raporti i tetorit të viti 2013. Për sa i përket disa çështjeve kryesore dhe 17 vendimeve, të cilat sot janë miratuar nga Këshilli i Ministrave, mbi lëvizjen e lirë të të gjithë të huajve që kanë dëshirë të vinë dhe të punojnë në Shqipëri,këto janë vendime të një rëndësie të veçantë. Sigurisht, për të gjithë ata persona të shkolluar dhe që duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, pra për të hapur bizneset e tyre apo kompanitë e tyre përkatëse, sepse në radhë të parë dhe në mënyrë direkte, kjo ka të bëjë me hapjen e vendeve të reja të punës. Një pjesë thelbësore kjo, e politikave të kësaj qeverie dhe që do të vazhdojë të mbështetet me të gjithë legjislacionin përkatës, për t’ju afruar atyre gjithë mundësitë për të ardhur në Shqipëri dhe për të krijuar mundësinë e hapjes së sa më shumë vendeve të reja të punës.
Më lejonin të theksoj, se ashtu siç tha dhe ministri, është thelbësore sepse në këtë rast ne, jo vetëm po punojmë për statusin e vendit kandidat, me përafrimin e legjislacionit, me plotësimin e kriterit të pestë që janë të drejtat e njeriut, por gjithashtu po përmbushim disa kritere edhe për hapjen e negociatave.
Në një analizë të mirëfilltë, që Ministria e Integrimit Evropian është duke bërë për momentin, për 17 vendimet kanë të bëjnë pikërisht me plotësimin e kapitujve 2 dhe 24. Kjo më lejoni të theksoj faktin se do ta bëjmë jo vetëm për t’iu përfaruar legjislacionit të BE, jo vetëm për të vazhduar me tej me procesin e integrimit, por në radhë të parë, për të ndryshuar përfundimisht sistemin tonë, për të ndryshuar përfundimisht jetën e qytetarëve shqiptarë, për të përthithur sa më shumë investime të huaja dhe sa më shumë turistë të huaj që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri për të investuar dhe për të zhvilluar njëkohësisht vendin tonë.
Këto janë të gjithë kërkesa shumë thelbësore. Nuk do të vazhdojmë vetëm me ministrinë e Mirëqenies Sociale, por në të njëjtën kohë po punohet shumë për të 5 kriteret, siç janë reforma në administratën publike, çështje të antikorrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar, të drejtat e njeriut, duke vazhduar më tej dhe me reformën në drejtësi që është shumë thelbësore, për të plotësuar të 5 kriteret e kërkuara nga BE.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





