Transmetuar më 12-02-2014, 20:59

Behgjet Pacolli, aktualisht ka hequr dorë nga përpjekja e tij për t’u bërë President i Republikës së Kosovës. Lideri i Aleancës Kosova e Re tani synon postin e Kryeministrit.

Behgjet Pacolli qysh ditën e parë kur e themeloi partinë e tij, AKR’në, shfaqi ambicie për t’u bërë President i Kosovës. Ai këtë e arsyetonte me atë se “vetëm përmes këtij posti, mund ta realizonte vizionin e tij ekonomik për vendin”.

Por dështimi i klasës politike për ta ndryshuar legjislacionin aktual dhe rrjedhimisht pamundësia që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli, duket se e kanë shtyrë Pacollin që t’i kthejë sytë kah posti i Kryeministrit.

Burime të Gazetës Express kanë thënë se këto ditë AKR planifikon ta mbajë Këshillin Drejtues të saj, ku edhe do ta nominoi Pacollin për Kryeministër.

Kjo, s’është mohuar nga Jetlir Zyberaj, Këshilltar i Behgjet Pacollit.

“Nuk përjashtohet mundësia që të nominohet z. Pacolli, pasi që jemi të vetëdishëm që kapacitetet dhe vizioni ekonomik i z. Pacolli mund të implementohet vetëm nga pozicioni i Kryeministrit. Sot Kosova ka nevojë vetëm për qasje ekonomike, andaj z. Pacolli do të ishte zgjedhje ideale”, ka thënë Zyberaj për Express, të mërkurën.

Deri më tash, janë dy kandidatë të shpallur për Kryeministër, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit