
Ministria e Transportit reagoi sot lidhur me vendimin për ndalimin e qarkullimit të furgonëve, pas përshkallëzimit të protestave në të gjithë vendin. Përmes një deklarate për mediat, MT e drejtuar nga Edmond Haxhinasto i LSI, deklaron se nisma e qeverisë për formalizimin dhe modernizimin e transportit ndërurban po instrumentalizohet politikisht.
1. Nisma e qeverisë synon zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor ekzistues në fushën e transportit për të gjitha kategoritë e automjeteve, përfshirë edhe automjetet taksi (8+1), apo siç quhen në gjuhën popullore ‘furgonëve’.
2. Kjo nismë sjell rritjen e ndjeshme të standardeve të sigurisë së qytetareve që përdorin transportin ndërurban, siguri e dëmtuar rëndë nga përdorimi i mjeteve të paliçensuara dhe nga drejtues mjetesh të paçertifikuar.
3. Nisma e qeverisë synon dhënien fund të konkurencës së pandershme në transportin ndërurban, dhe dëmtimin e padrejtë të dhjetra operatoreve të liçensuar për transportin ndërqytetas.
4. Nisma e qeverisë synon modernizimin e transportit ndërurban përmes krijimit të kushteve të parashikuara nga ligji për udhëtimin e sigurtë e komod, me automjete të përshtatshme, në linja me orare të përcaktuara, dhe me cmime të lira për qytetarët.
5. Nisma e qeverisë synon luftën kundër evazionit dhe formalizimin e sektorit.
6. Pjesë e kësaj nisme do të jetë edhe përmiresimi i infrastrukturës së stacioneve të autobuseve pranë secilës bashki, me standarte që ka rajoni dhe Bashkimi Evropian, përsa u përket shitjes së biletave, informacionit për oraret e linjave si dhe shërbimeve të higjenës, të domosdoshme në çdo stacion autobusi bashkiak.
Për Ministrinë e Transportit, më thelbin e vet nisma e qeverisë para së gjithave mbron qytetaret, jetën dhe xhepin e tyre nga abuzuesit, mbron përdoruesit e ligjshëm e të liçensuar të mjeteve, investimet e kujtdo që punon në këtë sektor me dokumentacion të rregullt, si edhe lirinë e të drejtën e zhvillimit të sektorit përmes konkurencës së ndershme e të garantuar për çdo investim në këtë fushë që jep siguri, sjell inovacion, garanton progres.
Ministria shprehet e vendosur për të mbyllur njëherë e mirë epokën e anarkisë, pasigurisë, e punës në të zezë apo veprimtarisë jashtë ligjeve dhe standardeve teknike në këtë sektor jetik për sigurinë e qytetareve si edhe për zhvillimin e vendit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





