
Kryetari i Partisë Demokratike në aktivin e Durrësit nënvizon rëndësinë jetike të institucionalizimit të bashkimit të gjithë kontributeve historike me prurjet e reja
Durrës, 14 Shkurt 2014 NOA.al – Nga qyteti i Durrrësit, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka ftuar qytetarët opozitarë por jo vetëm për t’iu bashkuar marshimit popullor në 20 shkurt kundër mashtrimeve dhe keqqeverisjes së qeverisë Rama-Meta.
Sipas Bashës arbitrariteti dhe paligjshëmria e kësaj qeveria duhen frenuar, akoma pa i marrë frymën qytetarëve shqiptarë.
“Dua që këtu nga aktivi i Durrësit të jemi bashkë në ftesën tonë ndaj qytetarëve shqiptarë pa dallime politike, të marrin pjesë në 20 shkurt në Tiranë në përkujtimin solemn të 23 vjetorit të rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxhës dhe në marshimin e protestës popullore që do të shoqërojë evokimin e kësaj ngjarjeje historike madhore për demokracinë tonë", – tha z.Basha.
Përvjetorin e rrëzimit të monumentit të Hoxhës – tha z.Basha, – do ta përkujtojmë me mesazhe aktuale të drejtpërdrejta për qeverinë e sotme. Do ta ndërmarrim këtë marshim proteste sepse jemi të shqetësuar, jemi në këmbë e do të jemi në këmbë kundër çdo tundimi të kësaj qeverie dhe mazhorance arbitrare për të rehabilituar me forma dhe alibi të llojllojshme figurën e diktatorit.
"Do ta ndërmarrim këtë marsh proteste, jo se nuk kemi patur durimin për të pritur këtë qeveri të fillojë të mbajë premtimet, por kjo qeveri ka ngritur mashtrimin e publikut dhe paligjshmërinë. Kjo qeveri ka vënë në jetë një politikë ekonomike thellësisht të gabuar që po e rrokullis vendin në pikën zero e poshtë zero në të gjitha drejtimet”- tha Basha.
Kreu i demokratëve shoqërohej në këtë takim nga deputetët Cara, Halimi, Bylykbashi dhe Albana Vokshi. Në përfundim në mënyrë simbolike, dhjetëra të rinj morën kartën e anëtarësisë në PD.
Takimi në Durrës, pason nisjen e një fushate takimesh në rrethe, për të institucionalizuar siç tha Basha, bashkimin dhe ribashkimin e demokratëve kudo në vend.
Faza e ripertëritjes se anetaresise pritet te mbyllet deri ne 28 shkurt, nderkohe qe Partia Demokratike futet ne nje faze te dyte, zgjedhjen e strukturave drejtuese.
Fjala e plotë e z.Basha
Mendova të zhvillojmë këtë takim në aktivin e degës tuaj në Durrës, për ta shtrirë në takime të ngjashme në degë të tjera të ndryshme të Partisë Demokratike në Shqipëri, për të diskutuar së bashku mbi ecurinë e deritanishme të fazës së parë, asaj të evidentimit të anëtarësisë dhe anëtarësimeve të reja, për të parë nga afër si po zbatohen udhëzimi dhe direktivat e dhëna. Çfarë sfidash, çfarë arritjesh kemi deri tani. Dhe çfarë na pret përpara.
Në këtë kuadër, dua që këtu nga aktivi i Durrësit të jemi bashkë në ftesën tonë ndaj qytetarëve shqiptarë pa dallime politike, të marrin pjesë në 20 shkurt në Tiranë në përkujtimin solemn të 23 vjetorit të rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxhës dhe në marshimin e protestës popullore që do të shoqërojë evokimin e kësaj ngjarjeje historike madhore për demokracinë tonë.
Në lidhje me fushatën e anëtarësimeve, përshëndetje pikë së pari të rinjve e të rejave në këtë podium dhe besoj se jeni pjesë e kontributeve të para të fushatës së anëtarësimeve për të cilat jam informuar nga drejtuesit dhe koordinatorët këtu në degën e Durrësit, konstatoj me kënaqësi të madhe se anë e mbanë Shqipërisë puna ka nisur me vrull dhe, në tërësi, po shkon shumë mirë. Ndihet kudo një dëshirë të madhe e demokratëve për t’u mbledhur, për të rinovuar dokumentacionin e anëtarësisë në partinë e tyre të zemrës; ndihet kudo një dëshirë po aq e madhe dhe një vetëdije e re për bashkimin dhe ribashkimin e gjithë kontributeve, që nga themeluesit e parë tek anëtarët me të rinj; ndihet kudo dëshira e rikthimit të atyre që për një arsye a tjetër mund të jenë larguar apo ftohur përgjatë viteve; por që sot e ndjejnë se shtëpia e tyre e vetme dhe e vërtetë, Partia Demokratike i thërret, ndihet pra kudo era e një afrimi të ri të fuqishëm e në veçanti të brezit të ri me Partinë Demokratike. Ndihet kudo era e Hapjes.
Sipas raporteve paraprake anë e mbanë Shqipërisë, janë me qindra e me mijëra të rinjtë dhe të rejat që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, duke i dhënë një mesazh të madh shprese mbarë shoqërisë shqiptare me përzgjedhjen e tyre. Detyra jonë është t’u japim jetë këtyre dëshirave, me qëllim që në fund të këtij procesi, ashtu siç e kemi vendosur së bashku, Rinovimi, Bashkimi dhe Ribashkimi, Përtëritja, Ripërtëritja dhe Hapja të jenë pasqyruar në një regjistër te plotë të PD-së dhe të na kenë dhënë Partinë e organizuar dhe moderne, që do të startojë në kuvendimin e madh në analizën dhe në zgjedhjet e lira brenda saj, si një detyrë jetike për të sotmen dhe betejat e ardhshme dhe fitoret e PD-së në të ardhmen.
Jam i bindur se të gjithë ju, koordinatorët e qendrës dhe bazës dhe drejtuesit partiakë të çdo niveli, anëtarë të aktivit, militantë, simpatizantë, brenda dhe jashtë kësaj salle që janë përfshirë në këtë aksion të madh politik, jeni të vetëdijshëm se sot, nga cilësia, serioziteti, korrektësia dhe vërtetësia e zbatimit të udhëzimit dhe direktivave që kemi lëshuar varet shumë, varet fillimi i ri, varet Ringritja, varet Fitorja.
Thëne këtë, dua të përsëris dhe nënvizoj si më poshtë:
E gjithë anëtarësia e PD-së në vite, anëtarët aktivë dhe anëtarë që për një arsye a tjetër kanë qenë pasivë, janë tërhequr, janë mënjanuar, janë larguar jashtë vendit dhe janë kthyer, duke humbur ndërkohë anëtarësinë formale në Partinë Demokratike, duhet të kontaktohen, të ftohen, të sqarohen për udhëzimin e ri, të nxiten e të ndihmohen për të rinovuar dokumentacionin e anëtarësisë në Partinë Demokratike.
Nuk duhet të ndodhë dhe nuk duhet të dëgjoj që mbledhjet e njohjes me udhëzimin dikush të mungojnë sepse nuk është lajmëruar nga neglizhenca apo, më keq, më qëllim.
Atij apo asaj që nuk i ka shkuar njoftimi i parë për neglizhencë i duhet kërkuar falje menjëherë dhe menjëherë duhet përfshirë menjëherë në aksionin politik që kemi nisur.
Kur verifikohet se mosnjoftimi është bërë me qëllim, të mbahet qëndrim deri në zëvendësimin e menjëhershëm të koordinatorëve në rang grupseksioni apo të personit përgjegjës që është ngarkuar të bëjë njoftimet.
Direktiva ime është e qartë dhe pa ekuivok: bashkim dhe ribashkim pa asnjë paragjykim i gjithë kontributeve nëpër vite, hapje e partisë për pranime të reja nga brezi i ri, por pa i mbyllur derën askujt që dëshiron të anëtarësohet në Partinë Demokratike.
Ky bashkim jetik , ky rikthim në partinë e tyre, në shtëpinë e tyre i kontributeve politike në vite, ky vlerësim për themeluesit, qëndrestarët dhe anëtarët pa përjashtim, ky afrim i brezit të ri me PD-në u realizua në formë festive gjatë përvjetorëve 23 vjetorit të degëve që nisën pas përvjetorit të Tiranës këtu në Durrës dhe që i kremtuam në të gjitha degët e vendit. Tani është koha që ky bashkim duhet të marrë jetë në formën institucionale, duke u bërë të gjithë pjesë aktive e strukturës politike nga niveli i seksionit në nivelet e tjera të parashikuara në statutin e partisë tonë.
Kjo do të jetë një punë e matshme, sikurse do të jetë e matshme puna për pranimet e reja.
E thashë me sipër e për fat të mirë sot jo vetëm e themi por edhe e konstatojmë dhe shohim këtu në podiumin e aktivit të Durrësit; Ka një dëshirë të madhe të të rinjve dhe të rejave për t’u anëtarësuar në Partinë Demokratike. Ata duhet te gjejnë një mjedis tërheqës, t’i presim krahëhapur. Por nuk duhet të jemi vetëm në pritje. Duhet të shkojmë vetë tek rinia dhe t’i ftojmë të anëtarësohen në PD. Më të mirët duhet të vinë te ne. Më të mirët në shkollë, me të mirët në punë, me të mirët në shoqëri, më të mirët në familje e më pas gjithë familja.
Dhe me këtë mbajmë fort një nga shtyllat identitare të forcës tonë politike, faktin që Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re.
Një PD pa historinë e saj është pa shtyllë kurrizore.
Një PD pa brezin e ri është pa të ardhme.
Jam i bindur se procesi që ka nisur dhe po vazhdon në rrugë të mbarë, do të marrë impulse të reja pozitive nga ky aktiv dhe përmes punës së këtij aktivi për degën e Durrësit dhe padyshim që ky është një mesazh që nga Durrësi rrezonon për të gjitha degët, grupseksionet dhe seksionet e partisë tonë anë e mbanë Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj, të dashur anëtarë të aktivit të degës së Durrësit.
Përvjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës si simbol i diktaturës, izolimit, varfërisë dhe mashtrimit më të madh që ndonjë udhëheqës politik i ka bërë popullit të tij, këtë vit nuk do ta përkujtojmë si herë të tjera. Do ta kujtojmë si ngjarje historike, por me mesazhe aktuale të drejtpërdrejta për qeverinë e sotme nëpërmjet një marshimi popullor proteste.
Do të ndërmarrim këtë marshim proteste jo se kjo qeveri dhe shumica e majtë ka lidhjen e njohur të deshendences me partinë e Enver Hoxhës.
Por sepse jemi të shqetësuar, jemi në këmbë e do të jemi në këmbë kundër çdo tundimi të kësaj qeverie dhe maxhorance arbitrare për të rehabilituar në forma të ndryshme dhe me alibi të lloj llojshme figurën e diktatorit që simbolizon historinë gjysmëshekullore të shtypjes, mashtrimit dhe mjerimit të shqiptarëve.
Do të ndërmarrim këtë marsh proteste, jo se nuk kemi patur durimin e nevojshëm për ta pritur këtë qeveri më së koti, të fillojë të mbajë ndonjë nga premtimet e saj elektorale.
Por kjo qeveri ka instaluar e ngritur në sistem brenda një kohe të shkurtër paligjshmërinë dhe mashtrimin e publikut dhe paligjshmërinë, që janë dy nga shtyllat e politikës së vjetër antidemokratike.
Kjo qeveri ka përqafuar dhe vënë në jetë një politikë ekonomike thellësisht të gabuar, që po e rrokullis vendin me shpejtësi drejt përkeqësimit, drejt pikës zero dhe poshtë zeros në të gjitha drejtimet, një kundërzhvillim dramatik plot ta panjohura që vendi nuk e ka njohur as në ditët e krizës më të thellë ekonomike botërore.
Çdo ditë po bëhet me keq dhe jo më mirë.
Është absurde të vazhdosh ri japësh kohë të keqes.
Është e papërgjegjshme për opozitën të rrijë e të fërkojë duart duke pritur që e keqja të shkojë deri në fund. Nuk është ky misioni ynë.
Është detyrë e qytetarëve në demokraci të ndihen, të thonë fjalën e tyre, të kërkojnë e të insistojnë në ndalimin e së keqes pa pritur që e keqja t’u marrë frymën, pa pritur të vijnë zgjedhjet e radhës.
Në 20 shkurt të vitit 1991 nuk u ngritën vetëm ish të përndjekurit dhe ish të persekutuarit politikë, që e kishin vuajtur më rëndë së gjithë të tjerët diktaturën, edhe pse kjo kategori ishin natyrshëm në ballë të kryengritjes së madhe.
U ngritën dhe vërshuan drejt sheshit “Skënderbej” dhe shesheve të tjera të Shqipërisë mijëra e qindra mijëra njerëz të thjeshtë, që nuk e kishin njohur burgun, internimin apo privacionet e drejtpërdrejta të luftës së klasave, por kishin kuptuar se diktatori Enver Hoxha dhe regjimi i tij ishte një mashtrim kolosal, se bota e re e premtimeve dhe fjalëve të bukura ishte skamja dhe varfëria e pashembullt, se Shqipëria e izoluar nuk ishte fanari ndriçues, por një vend më i prapambetur i Europës i katandisur si mos me keq.
Shqiptarët u ngritën me 20 shkurt 1991 duke i thënë “jo” njëherë e përgjithmonë edhe mashtrimit si degradim, mashtrimit si shtyllë e keqqeverisjes, mashtrimit si burim i korrupsionit dhe varfërisë.
Është koha që në përvjetorin e 23 të kësaj ngjarjeje të madhe historike të ngrihemi përsëri, të marshojmë përkrah njëri tjetrin në marshin e protestës të thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare.
Të gjithë shqiptarët e lirë që duan t’i drejtojnë me fuqinë e bashkimit një paralajmërim kësaj qeverie “hiq dorë nga tundimet për të rehabilituar diktatorin dhe elementë të modelit të tij” të vinë në marshimin e protestës bashkë me Partinë Demokratike dhe opozitën.
Të gjithë shqiptarët e lirë që ndajnë me ne bindjen se kjo qeveri e ka mbushur kupën dhe nuk po reflekton në rrugën e vet të paligjshmërisë, të daljes mbi ligjin, që është rruga e shkatërrimit të demokracisë, të vinë në marshimin e protestës për t’i thënë “ ndal”
Të gjithë njerëzit e lirë, që shohin si i ka braktisur Edi Rama dhe xhunjori i tij Meta premtimet e tij të bujshme elektorale, të vijnë në marshimin e protestës dhe t’i deklarojnë me fuqinë e bashkimit qeverisë dhe kryeministrit dinjitetin e tyre, distancimin e tyre të prerë nga mashtruesi, nga mashtruesit dhe mashtrimet.
Të gjithë njerëzit që kanë pritur një vend pune dhe nuk e shohin as në horizontin me të largët të qeverisjes, por që në fakt shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës, janë flakur në rrugë të gjithë ata që ndihen se një fat i ngjashëm i pret, që ndihen të rrezikuar për shkak të politikave dritëshkurtra e të gabuara të kësaj qeverie në rrafshin ekonomik, të vinë në marshimin e protestës për t’i deklaruar kësaj qeverie dhe kryeministrit gjendjen e vështirë e të përkeqësuar ku ndodhen dhe për t’i kërkuar me forcë ndryshimin dhe korrigjimin e kursit.
Kundër papunësisë, kundër rritjes së taksave, kundër rritjes së çmimeve, kundër shtrenjtimit të kostos së jetesës, kundër faturave arbitrare afrofe të energjisë, kundër gjobave të paligjshme, kundër shkatërrimeve antiligjore të pronave të qytetarëve, kundër megamashtrimit me shëndetësinë falas dhe përkeqësimit të shërbimit shëndetësor anë e mbanë Shqipërisë, kundër humbjes së vendeve të punës, kundër largimeve arbitrare nga puna, kundër dënimeve kolektive dhe korrupsionit në vendimmarrje si në rastin e djeshëm të furgonave, kundër pasigurisë për jetën dhe pronën.
Këto janë disa nga mesazhet dhe paralajmërimet që marshimi popullor i protestës do t’i adresojë qeverisë, që ka kohë që bën sikur nuk dëgjon nga veshët e nuk sheh nga sytë.
Por ne, opozita, Partia Demokratike, demokratët nuk mund të bëjmë shurdhin dhe nuk do të bëjmë shurdhin dhe nuk do ta lejojmë as qeverinë të bëjë shurdhin kur të shohë mijëra e mijëra shqiptarë të lirë në protestë.
Marshimi i protestës me 20 shkurt është një detyrë qytetare, është detyrë e çdo qytetari në demokraci.
Të nderuar anëtarë të aktivit të Durrësit. Bashkërisht në këtë agorë të madhe të kuvendimit që do të nisë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe rivitalizimit të bazës të së dhënave të kësaj dege dhe të çdo dege tjetër, ne do të nisim procesin zgjedhor në Partinë Demokratike. Por lufta jonë opozitare nuk ka të ndalur në asnjë çast të vetëm. Ndaj paralelisht me angazhimin tuaj i kërkoj aktivit të Durrësit dhe aktivit të degëve anë e mbanë Shqipërisë mobilizim maksimal për të derdhur në sheshin historik “Skënderbej” më 20 shkurt fuqinë e madhe njerëzore të qytetarëve të lirë që do të protestojnë bashkë me ne më 20 shkurt, jo me kokën pas por me kokën para.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





