
Tiranë, 12 shkurt 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka folur lidhur me amendimet në rregulloren e Kuvendit.
Në fjalën e tij ai tha se PD kërkon që në debatin parlamentar të respektohet një parim shumë i rëndësishëm që është ai i kushteve të barabarta.
“Duke qenë se për opozitën e drejta për fjalën është një e drejtë themelore dhe për të shprehur qëndrimin e saj, Kuvendi është forumi kryesor. Duke qenë se edhe Kryeministri përfaqëson ekzekutivin në raportin me Parlamentin, ajo që kërkojmë ne është një barazi “armësh” në lidhje me shprehjen e këtyre vullneteve politike, në mënyrë që jo vetëm Kuvendi të krijojë vullnetin e tij por dhe opinioni publik dhe zgjedhësit ta kenë të qartë se kush janë vullnetet që përplasen. Kështu që ajo që kërkojmë ne është vetëm një e drejtë themelore që i takon çdo opozite dhe kërkojmë ta sanksionojmë këtë në mënyrë që debati politik të jetë sa më i qenësishëm”, u shpreh Bylykbashi.
Deputeti demokrat theksoi se kërkesa e PD nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën, duke shtuar se ajo që opozita demokrate kërkon është ndërhyrje e përfaqësuesit, e kreut të grupit parlamentar ose e një përfaqësuesi, të jetë për ndërhyrje kryesore ndaj Kryeministrit, ato ndërhyrje që krijojnë dhe shprehin një vullnet politik.
Sipas tij Kryeministri ka pjesën e vet ndërkohë që opozita dhe lideri i opozitës në Parlament shpreh qëndrimin politik përballë qëndrimit të Kryeministrit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





