Transmetuar më 12-02-2014, 14:33

Tiranë, 12 shkurt 2014, NOA.al-  Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe, iu ka dërguar një letër institucioneve përgjegjëse Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetit të Konkurrencës dhe Ministrisë së Financave, për rritjen e menjëhershme nga kompanitë e sigurimit të tarifës së pagesës së sigurimit për automjetet e thjeshta.

Braçe ka kërkuar hetim dhe sqarime të menjëhershme nga institucionet për kartelin në sigurime.

Nisur nga lajmi që qarkullon në media dhe nga fakti tashmë i konstatuar në treg, se të gjitha kompanitë e sigurimit brenda një dite të vetme kanë rritur tarifën e pagesës së sigurimit të detyrueshëm TPL për automjetet e zakonshme me 6 mijë lekë, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat Erion Braçe iu ka kërkuar sot, institucioneve përgjegjëse, informacion në lidhje me këtë veprim të koordinuar mes kompanive private.

Në shkresën drejtuar institucioneve përgjegjëse theksohet se që prej muajit shkurt të vitit të kaluar e deri më sot, kompanitë e sigurimit e kanë rritur 4 herë pagesën e sigurimit të detyrueshëm TPL, ndërsa që prej ditës së martë, rritja është në vlerën e 6 mijë lekë ose 43% më shumë se çmimi i mëparshëm.

Nisur nga faktet, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe, i ka shprehur shqetësimin institucioneve përgjegjëse lidhur me dyshimet për një marrëveshje karteli, të fshehtë, mes operatorëve në treg duke kërkuar hetim, reagim dhe shpjegime të menjëhershme në lidhje me këtë treg dhe veprimet e fundit./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit