
Ish-ylli i Manchester United, Roy Keane bën një analizë të ecurisë së dobët të “Djajve të Kuq”, duke theksuar se Moyes ka një detyrë të vështirë përpara për të rindërtuar skuadrën pas largimit të Sir Alex Ferguson.
Ish-kapiteni thekson se United duhet të afrojë 5, ose 6 futbollistë të rinj nëse kërkon të rikthehet në nivel më të lartë sezonin e ardhshëm.
Kampionët e Anglisë janë në vendin e 7 në Premier League nën drejtimin e trajnerit të ri David Moyes, 18 pikë larg Chelseat kryesues, dhe 9 pikë larg Liverpool-it të vendit të katërt, pozicion që siguron pjesëmarrjen në eliminatoret e Champions League.
Por Keane mendon se puna e Moyes nuk duhet gjykuar, pasi Ferguson i la atij një skuadër shumë pak aktive në merkato gjatë viteve të fundit.
”United i nevoiten 5 ose 6 futbollistë. Ata kanë qenë shumë pak aktivë në merkato gjatë viteve të fundit, duke mos afruar futbollistë të mëdhenj, dhe kjo po reflektohet në rezultatet e këtij sezoni.
Në verë duhen bërë blerje, kjo është periudha dhe lëvizja e duhur për t’i kthyer ata në majë, aty ku e kanë vendin.”
42-vjeçari që tashmë është në rolin e asistentit të Martin O’Neill tek kombëtarja e Irlandës thekson gjithashtu se një trajneri duhet t’i jepet kohë për të ndryshuar situatën.
“Moyes meriton më shumë kohë. Njerëzit kanë frikë të përdorin fjalën rindërtim, por kjo është ajo që i nevoitet Manchester United.
Në këtë moment duket qartë që Champions League është diçka e largët për United. Megjithatë kjo skuadër ka potencial pasi me futbollsitë si Wayne Rooney dhe Robin Van Persie mund të bëjnë mirë në muajt e mbetur, nëse bashkohen dhe japin maksimumin.”
Pavarësisht diferencës së madhe në kampionat, Manchester United ka mundësinë për të kaluar në çerekfinale të Champions League, pasi në 1/8 e finaleve do të përballet me kampionët e Greqisë, Olimpiakos, që në letër janë një kundërshtar i kalueshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





