Transmetuar më 12-02-2014, 12:06

Austri, 12 shkurt 2014, NOA.al-  Në takimin që Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, zhvilloi me Ministren e Arsimit, Artit dhe Kulturës së Austrisë, znj. Gabriele Heinisch-Hosek, gjatë vizitës së tij në Austri, vuri në dukje angazhimin e qeverisë shqiptare për ta vendosur si prioritet të sajin reformën në arsimin profesional.

Ministri Veliaj shprehu vendosmërinë për të ndjekur modelin austriak të shkollave profesionale, si një model i suksesshëm që duhet përsëritur. “Duam të vazhdojmë bashkëpunimin e deritanishëm për ta shtrirë eksperiencën austriake të shkollave profesionale edhe në qytete të Shqipërisë”, tha Ministri Veliaj, duke përmendur suksesin e shkollës profesionale austriake “Peter Mahringer” në Shkodër.

Nga ana e saj, ministrja Heinisch-Hosek shprehu interesin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me hapjen e shkollave të reja në qytete të tjera të Shqipërisë, duke u fokusuar veçanërisht tek shkollat profesionale të teknologjisë së informacionit. Ajo nënvizoi se strategjia e MMSR-së për arsimin profesional është e shkëlqyer dhe se do ta mbështesë me projekte konkrete.

Ministri Veliaj e ftoi ministren Heinisch-Hosek për një vizitë në Shqipëri, për t’u njohur më nga afër me sistemin e arsimit dhe formimit profesional./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit