Transmetuar më 12-02-2014, 11:52

Tiranë, 12 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha priti në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë z.  Ola Svenningsson i cili shoqërohej nga i ngarkuari me punë i Suedisë në Shqipëri Patrik Svensson dhe i ngarkuari për Shqipërinë në MPJ të Suedise, z. Mats Nyström.

Kryetari Basha i shprehu Drejtorit Svenningsson mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe vijon t’i japë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Drejtori Svenningsson e falënderoi kryetarin Basha për pritjen, dhe i theksoi atij se dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë do të ishte rikonfirmim i të gjithë punës së mirë që është bërë nga qeverisja e Partisë Demokratike gjatë 8 viteve dhe se e njëjta punë e mirë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst, Drejtori Svenningsson shprehu keqardhjen për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat çka përbënte surprizë duke marrë në konsideratë faktin që atmosfera dhe gjasat përpara muajit dhjetor ishin tërësisht pozitive.

Kryetari Basha iu përgjigj komenteve vlerësuese të Drejtorit Svenningsson, duke theksuar se ishte mbështetja e vendosur dhe pa asnjë ekuivok e shqiptarëve ndaj projektit madhor të anëtarësimit në BE, e cila ka përbërë shtysën vendimtare në hapat e hedhur përpara në këtë proces. Kryetari Basha shprehu keqardhjen që, për shkak të bllokimit të opozitës së atëhershme dhe tashmë qeverisë Rama, hapat e mëtejshëm në këtë proces madhor u vonuan për më shumë se 2 vjet.

“Partia Demokratike është e vendosur të mbështesë në mënyrë të pakushtëzuar procesin e integrimit europian të vendit, por ne jemi të shqetësuar për kursin e qeverisë që bie ndesh me këtë aspiratë kombëtare”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi se klima bllokuese e ish-opozitës është zëvendësuar tashmë me një fushatë sulmesh gjithnjë e në rritje kundër standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Kjo fushatë, theksoi kryetari Basha, e cila filloi me zhbërjen e konsensusit për ligjin “Për Statusin e Nëpunësit Civil”, ka shkaktuar një shqetësim mbarëpopullor për revanshin ndaj administratës profesioniste publike dhe zëvendësimin e saj me militantë partiakë, për politizimin dhe paralizimin e Policisë së Shtetit përmes shkarkimeve në kundërshtim me ligjin të oficerëve dhe drejtuesve profesionistë, për sulmin e paprecedent në shkelje të Kushtetutës dhe parimit demokratik të check and ballance ndaj institucioneve të pavarura, si ILDKP dhe AMA, presionin politik ndaj gjyqësorit dhe shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave kushtetuese të opozitës shqiptare.

Fryma antikushtetuese e anti-ligjore e kësaj mazhorance, nënvizoi Basha, shënoi kulmin me skandalin e vjedhjes së miliona deklaratave konfidenciale të tatimpaguesve shqiptarë dhe me blerjen në mes të ditës së votës të lirë të qytetarëve në zgjedhjet vendore në Korçë.

“Kjo frymë antikushtetuese e antiligjore që po intensifikon përditë me sulmet e saj qeveria shqiptare, ka sjellë si pasojë rritjen e pasigurisë së shqiptarëve për lirinë, jetën dhe pronën e tyre, shpërthimin e indicieve të krimit të të gjitha llojeve dhe hapa pas në standardet e arritura me aq mund nga shqiptarët gjatë këtyre viteve”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë absurde është insistimi i aleatëve dhe partnerëve tanë euroatlantikë në ruajtjen e standardeve të arritura, që kjo qeveri po përpiqet t’i zhbëjë çdo ditë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit