
Nga Lulzim Basha
Një mirënjohje e veçantë për aktualizimin e çmimit që mban emrin e Gramoz Pashkos, një njeri që me kontributin e tij të çmuar, shumëllojshmërinë e produktit të tij intelektual dhe njerëzor ka arritur të ketë jo thjesht nxënës –të herët apo të vonë –por miq, mbështetës, pse jo dhe dishepuj që i shoh sot të pranishëm në këtë ceremoni domethënëse përsa i përket rrugëtimit dhe sfidave të liberalizmit në Shqipëri.
Si kryetar i PD-së, dua të sjell në vëmendje rolin e jashtëzakonshëm të Gramoz Pashkos në themelimin e forcës së parë opozitare, partisë së parë të lirisë në Shqipëri, Partisë Demokratike dhe kontributin e tij në hartimin e identikitit të parë programor të kësaj partie, atë që njihet sot si program i partive.
Atëherë njihej si program maksimal dhe minimal, dy shtyllat me të cilat forca e parë e lirisë antikomuniste pas 50 vitesh diktature doli përpara qytetarëve shqiptarë. Kontributi i tij vazhdoi dhe në fakt mori përmasa të pacekshme nga asnjë foltore dhe të pashterueshme në çdo termim kohor dhe jo më si ky që më është dhënë sot për ta përshëndetur.
Sepse ai mbante mbi supet e tij që në momentet e para të artikulimit të tij publik e deri në momentet e fundit të jetës së tij biologjike barrën apostolike të liberalistit në një tokë shkretëtire sa i përket këtij koncepti, të liberalizmit si filozofi, si mënyrë jete që e ktheu në një art.
Pata fatin ta njoh, por nuk mund dhe nuk dua të flas këtu që pata mundësinë dhe fatin të jem një mik i tij.
Miqtë e tij më kanë treguar episode të ndryshme, që nga njëra anë ilustrojnë atë zell prej idealisti me të cilën iu përvesh detyrës në dukje të pamundur për të inspiruar në shpirtin shqiptar vlerat e liberalizmit dhe në atë terren të djegur, shkretëtirë ku ky filiz filloi të merrte jetë.
Për shembull, faktin se në ballafaqimet e para me qytetarët e një Shqipërie të shkatërruar nga një centralizim dhe kolektivizim absurd kur fliste për tregun e lirë dhe ekonominë e tregut ballafaqohej me pyetje nga më të ndryshme: “Ku do i gjejmë ushqimet, po miellin kush do na e sjellë, privati? Po privati nga do i marrë?”.
Kjo ishte toka e djegur e kolektivizmit dhe centralizmit, sepse shqiptarët nuk arrinin më të kuptonin shtyllat e lashta të tregut të lirë të marrëdhënies midis njerëzve të lirë, sepse gjithçka si ajo kotherja e bukës së gojës që kishte mbetur në ato vite të diktaturës dhe tmerret e shtypjes dhe presionet vinin nga një zot dhe ky ishte shteti.
Shteti ishte “zot” i gjithçkaje dhe sesi në vitet e para të lirisë së tregut profesor Pashkos i shndrisnin sytë kur shihte një dyqan të hapur apo një restorant apo kafene.
E kam me të treguar nga miqtë, bashkëpunëtorët, dishepujt e tij, ishte kulti i lirisë që e entuziazmonte dhe i jepte forcën dhe energjinë për të vazhduar betejën e liberalizmin në një vend, në një tokë, në një shoqëri që edhe sot është deficitare ndaj vlerave superiore të lirisë dhe mungesës së saj.
Gjatë turit të krijimit të 23 vjetorit të PD shfaqen disa episode të filmit të krijuar nga themelimi i partisë dhe shfaqet dhe profesor Pashko dhe më ka mbetur ndërmend një shprehje që thoshte se “është hapur rruga që ne shqiptarët të ecim pa u ndalur drejt Europës vertikalisht”.
I dallohej qartë padurimi, ai padurim që ia kam hasur edhe unë gjatë viteve që e njoha fizikisht. Padurimi klasik i liberalit, mungesa totale e durimit për të arritur atë që liberali e konsideron legjitime, faqe Zotit dhe kujtdo tjetër, maksimumi i perfeksionit në kushtet e lirisë. Asgjë tjetër nuk pranohet.
Dhe ky padurim, ky emocion, kjo përqasje është dhe mbetet sot e gjithë ditën çelësi i vërtetë i përparimit kaq të shpejtë të kësaj shoqërie nga ku ishim 23 vite më parë dhe ku jemi sot. Nuk ka asnjë recetë tjetër, asnjë dhuratë tjetër, asnjë çelës tjetër, veç lirisë dhe padurimit për ta kthyer këtë liri në të mira materiale dhe jo materiale, që ua bëri të mundur shqiptarëve këtë kapërcim epokal në këta 23 vite.
Në këtë kuptim, barra apostolike që mbajti sa ishte gjallë besoj se vazhdon sot, përmes dishepujve të tij, përmes liberalizmit si filozofi të gjallë mes nesh, si forcë mes nesh që funksionoi përmes viteve që kemi lënë pas, dhe përmes liberalizmit që kërcënohet sot në atë qasje anti-liberale dhe neglizhimi pa të keq i standardeve të lirisë duke rrezikuar shumëçka është arritur falë kësaj lirie.
Lirisë për të mos paguar taksa të paarsyeshme, lirisë për të kërkuar llogari përpara qeverisë, lirisë për të pasur një qeveri të vogël, të lehtë, të përballueshme për tatimpaguesit, lirisë për të shpenzuar më shumë për vendin, qytetarët, shërbimet, për shoqërinë dhe më pak për administratën dhe qeverinë.
Lirisë në çdo aspekt të saj. Unë shpresoj dhe besoj se ky çmim do të vlejë për të evidentuar fare qartë përmes brezit të rinj, nxënësve më të vonë të Pashkos, të rinj të lirisë, studentët më të rinj të lirisë, për të armatosur me vlerat e saj, me vlerat e liberalizmit, me përvojën pozitive të krijuar në Shqipëri përmes këtyre vlerave do të jenë të gatshëm të përballen me sfidat e mëdha që liberalizmi has në Shqipëri dhe kudo në botë.
Ju them si kryetar i PD-së, që unë dhe PD-ja do ta mbajmë një sy hapur dhe do ta vëzhgojmë me kujdes këtë çmim, protagonistët e këtij çmimi, sepse kemi besim të madh se mes këtyre studentëve të rinj të lirisë do të jenë jo vetëm dishepujt e rinj të Pashkos dhe stampës së liberalizmit të tij, por edhe energjia përkushtimi, frymëzimi dhe drejtimi i ri i Partisë Demokratike në dekadat që vijnë. Beteja për liri, e cila në muajin domethënës si shkurti e një datë si 20 shkurti është një betejë jo me kokën pas por me kokën para dhe jam i sigurt që shqiptarët dinë, duan dhe do ta bëjnë edhe më mirë në ditët, dhe javët që na presin.
* Kryetar i PD
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





