
Mes fillimit të një hetimi të ri dhe procesi të ri, një në apel dhe një në Gjykatën e Lartë, ish-kreu i qeverisë italiane Silvio Berlusconi do të ketë një vit 2014 shumë të vështirë në aspektin gjyqësor. Ja lista e proceseve që e presin për këtë vit:
Korrupsioni i senatorëve:
Procesi fillon nesër në gjykatën e Napolit dhe seancat e para do të jenë kryesisht teknike. Berlusconi akuzohet se ka “blerë” në vitin 2006 një senator të së majtës që të kalojë në kampin e tij dhe të lehtësojë rënien e qeverisë së Romano Prodit.
Sipas prokurorisë, Berlusconi, 77 vjeç, i ka dhënë tre milionë euro, nga të cilat dy milionë në para, Sergio De Gregorio që të ndryshojë kamp, dhe ky i fundit e ka pranuar këtë gjë përpara magjistratëve.
Çështja Mediaset:
Bëhet fjalë për dënimin e parë për Silvio Berlusconin i cili u dënua me katër vite burg, por që u shndërruan në një për arsye të një amnistie, për një çështje që kishte të bënte me mashtrim fiskal. Ky dënim atij i kushtoi edhe largimin nga Senati.
Në këtë çështje, Gjykata e Apelit e dënoi gjithashtu me mohimin e ushtrimit të çdo lloj mandati publik për dy vite dhe Berlusconi ka deponuar një kërkesë kundrejt këtij verdikti që Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më 18 mars.
Duke marrë parasysh moshën e tij, Silvio Berlusconi ka kërkuar të mos shkojë në burg për të shlyer dënimin e tij prej një viti por të kryejë punë në dobi të komunitetit.
Një gjykatë e Milanos do të shqyrtojë këtë kërkesë duke filluar nga data 10 prill.
Berlusconi, për më tepër, ka deklaruar se ka qëllim që të kërkojë një rishikim të kësaj çështjeje dhe ka deponuar një kërkesë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku po bëhet rreth 10 ditë që dosja ka mbërritur.
“Rubygate”
Në qershor, Silvio Berlusconi u dënua me shtatë vite burg për abuzim me pushtetin dhe prostitucion të minoreneve në kuadrin e çështjes Ruby, nga emri i marokenes së re që ishte në origjinë të këtij procesi.
Madje u dënua edhe me një ndalim të përjetshëm në ushtrimin e mandatit publik.
Berlusconi ka deponuar një kërkesë dhe procesi në apel do të fillojë në pranverë por data ende nuk është përcaktuar.
“Ruby bis” dhe “Ruby ter”
Në çështjen “Ruby bis”, e lidhur drejtpërdrejtë me çështjen ”Rubygate”, tre bashkëpunëtorë të Silvio Berlusconit u dënuan sepse i kishin gjetur prostituta, mes të cilave edhe Rubyn.
Çështja “Ruby bis” hapi një çështje të re, që po bëhet rreth tre javë, atë të quajtur nga shtypi ”Ruby ter”, në të cilën Silvio Berlusconi dhe avokatët e tij dyshohen për korrupsion të dëshmitarëve.
Ende nuk dihet se kur do të fillojë rishikimi i kësaj çështjeje nga drejtësia, por nuk pritet të mbahet në një të ardhme të afërt.
Prostitutat e Barit
Silvio Berlusconi rrezikon të shkojë sërish para drejtësisë në kuadrin e një hetimi mbi rekrutimin e prostitutave në rajonin e Barit. Këtë herë ai dyshohet për nxitje të deklaratave jo të vërteta përpara autoriteteve gjyqësore.
Sipas akuzës, ai ka paguar për rreth dy vjetë një biznesmen të zonës , Gianpaolo Tarantini, që të mos tregonte dhe ku ky i fundit i gjente vajza të reja Berlusconit.
Procedurat e ndarjes me ish-bashkëshorten Veronica Lario
Vendimi mbi divorcin duhet të dalë rreth periudhës së verës, ku një gjykatë, së fundmi, ka ulur në 1,4 milionë euro në muaj gjobën e cila fillimisht ishte tre milionë euro në muaj.
“Unipol” (thyerje e sekretit institucional)
Silvio Berlusconi u dënua me një vit burgim për publikimin ilegal, në vitin 2005 në një gazetë të kompanisë së tij, të një përgjimi telefonik mes shefit të së majtës në atë kohë dhe presidentin e shoqërisë së sigurimeve “Unipol”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





