Një vit pas nënshkrimit të Kodit të Sjelljes mes operatorëve të telekomunikacionit dhe autoriteteve përkatëse, në Ditën Botërore të Internetit të Sigurt, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, tha se kompanitë kanë arritur rezultate mjaft të mira në ndërgjegjësimin e publikut.
Gjatë konferencës së sotme të organizuar nga kjo Ministri, me pjesëmarrjen e kompanive telefonike dhe operatorëve të tjerë, u diskutuan një sërë masash për të rritur sigurinë në rrjetet e telekomunikacionit dhe për të shmangur ekspozimin e fëmijëve nga materialet me përmbajtje të papërshtatshme që qarkullojnë në internet.
Gjatë kësaj kohe AMC ka ndërmarrë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin e nxënësve në shkollat nëntëvjeçare në mbarë vendin, për rreziqet që mund të hasin gjatë aktivitetit në platformat dixhitale. Vitin e kaluar fushata u shtri në 60 shkolla nëntëvjeçare në të gjithë vendin dhe synoi së pari ndërgjegjësimin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve mbi shfrytëzimin sa më të mirë dhe të sigurt të internetit.
AMC, në kuadër të përgjegjësisë së saj për të ofruar një rrjet sa më të mbrojtur dhe një përvojë të sigurt të lundrimit në internet, ofron nëpërmjet faqes së saj të internetit dhe dyqaneve AMC informacion të posaçëm, i cili përmban shpjegime për funksionimin e telefonisë celulare dhe jep këshilla për prindërit e fëmijët për përdorimin e internetit me siguri dhe përgjegjësi.
Dita e Internetit të Sigurt organizohet çdo vit në muajin shkurt dhe në qendër ka përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë dixhitale, duke e vënë theksin tek fëmijët dhe të rinjtë. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është informimi, por edhe thirrja për të bashkërenduar përpjekjet e të gjithë aktorëve, që përvojat “online” të fëmijëve e të të rriturve të jenë vetëm pozitive.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





