Transmetuar më 11-02-2014, 11:52

Tiranë, 11 shkurt 2014, NOA.al- Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetar i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama.

Duke shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me vendimin e Ministrisë së Transporteve, e cila ia kalon kompetencat pushtetit vendore, drejtuesit e kësaj shoqate shprehen se, kalimi i topit në anë tjetër të fushës është vetëm zvarritje e zgjidhjes së këtij problemi.

“Siç edhe jeni në dijeni transporti publik qytetas po kalon një periudhë shumë të vështirë ekonomike si pasojë e dyfishimit të çmimit të naftës, rritjes shumë të madhe të vlerave të investimeve të bëra në 3 vitet e fundit, mos subvencionimit të personave që përfitojnë sipas ligjeve aktuale shërbimin urban falas, si dhe mos indeksimit të çmimit të biletës prej një periudhe 5-vjeçare. U bënë rreth 4 muaj që janë bërë shumë takime midis Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Ministrive të Transporteve dhe Financës për të arritur në një pikë të përbashkët ku si qytetarët ashtu edhe operatorët të mos dëmtoheshin. Duke parë situatën ekonomike që po kalon vendi ynë, gjendjen financiare të qytetarëve tanë, ne pranuam propozimin e Ministrisë së Transporteve për rritjen e çmimit të biletës në 50 lekë plus kompensimin nga qeveria të personave që me ligj përfitojnë shërbimin urban falas. Në datën 6 shkurt 2014, me anë të një vendimi të Ministrisë së Transporteve për t’ia kaluar kompetencat pushtetit vendor, ju shumëzuat me zero të gjithë këtë punë të kryer gjatë kësaj periudhe 4-mujore”, thuhet në letër.

Në këtë letër Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, kërkon të bëhet indeksimi i çmimit të biletës plus kompensimi për personat që me ligj e përfitojnë shërbimin urban falas.

“Frika e marrjes mbi supe të një kostoje politike ju bëri që topin ta kaloni në anën tjetër të fushës, por kalimi i topit sa nga njëra anë në tjetrën do të zvarriste pa fund zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe do të përkeqësonte më shumë gjendjen e transportit urban. Përkundrejt kësaj frike të humbjes së votave ju duhet të ndiheni krenar, sepse jeni pioneri i parë i ndryshimeve shumë të mëdha në sistemin urban, që e bëtë kryeqytetin, Tiranën, të radhitej i pari në listën e kryeqyteteve të Evropës Juglindore për moshën mesatare më të re të autobusëve urbanë si dhe hapët rrugën e zëvendësimit të atyre autobusëve të vjetër që lëviznin si baraka llamarine rrugëve të Tiranës, me autobusë të rinj me kilometrazh zero dhe me të gjitha standardet të Komunitetit Evropian. Kjo gjë na rrit akoma më shumë besimin që ju si kryeministër aktual i vendit, përtej kornizave politike, do të ndërmerrnit të gjitha hapat e nevojshëm për të zgjidhur problemet e sistemit urban, sistem për të cilin të gjithë qytetarët tanë, pa dallim vote majtas apo djathtas, e kanë të nevojshëm”, thuhet në letër./e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit