Transmetuar më 11-02-2014, 10:26

Ka diçka që nuk i pëlqen Massimo Morattit me situatën te zikaltërit, teksa nuk ngurron të japë një këshillë që shkon direkt në veshët e menaxhimit të ri, konkretisht në adresë të pronarit indonezian.

“E këshilloj Erick Thohir të jetë më prezent dhe të ketë pranë njerëz tek të cilët beson 100%, sepse ata mund ta ndihmojnë skuadrën duke përcjellë besim tek të gjithë”.

Presidenti i nderit i Interit, ish pronari i klubit, në vijim tentoi të qetësojë trajnerin Mazzarri, duke thënë se kjo situatë e vështirë ishte e pritshme, por gjërat do të shkojnë drejt normalizimit.

“Mund të ndodhë që ekipi të përballet me vështirësi, nëse jo të gjithë lojtarët janë të disponueshëm, megjithatë kundër Sassuolos pashë gjëra pozitive në aspektin e lojës”.

Banderolat apo thirrjet protestuese të tifozëve kundër kupolës drejtuese nuk e kanë habitur shumë manjatin italian.

Moratti kujtoi se edhe në periudhën e Calciopolit ka patur episode të tilla, por askush nuk duhet të befasohet nga një sjellje e tillë e tifozerisë, sepse vuajtja e tyre kur skuadra çalon duhet të kuptohet.

Në fund ai bëri edhe një koment për largimin e Brancas. Moratti tha se ndjen keqardhje për faktin se me të kishte punuar për gati 10 vjet, por tani lidershipi i ri te Interi kërkon zëra të rinj dhe ky vendim duhet respektuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit