
Franck Ribery nuk do të jetë në dispozicion të urdhrave të Pep Guardiolës për takimin e parë në 1/8-at e Champions League kundër Arsenalit.
Bayerni i Mynihut konfirmoi zyrtarisht se francezi do të mungojë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në të ndenjura, citon Supersport.
Mesfushori 30-vjeçar për shkak të një problemi që i kishte prekur një nerv u detyrua të operohej të enjten e kaluar dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të luante në fitoren 2-0 të bavarezëve kundër Nurembergut, në fundjavë.
Në komunikatën e kampionëve në fuqi, thuhet se Ribery, pas disa ditësh do të nisë procesin e rikuperimit me disa ushtrime të lehta dhe një javë më pas do të mund të vrapojë në stërvitje.
Kjo do të thotë se finalisti në edicionin e fundit të Topit të Artë do të humbasë disa ndeshje të Bayernit, mes të cilave më e rëndësishmja është përballja e parë me Arsenalin në Champions.
Kampionët në fuqi të kompeticionit më madhor për klube në Europë, javën e ardhshme do të luajnë me Topçinjtë në Emirates Stadium, ndërsa ndeshjen e kthimit do ta kenë më 11 Mars.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





