
Korçë, 11 shkurt 2014, NOA.al- (Përditësuar) Tritoli në murin rrethues të burgut të Drenovës është vënë që me 23 nëntor, kur u arratisën 7 të burgosurit e këtij burgu, por gardianët kanë mundur ta zbulojnë atë vetëm sot, pas tre muajve.
Ky informacion është dhënë nga policia në lidhje me sasinë e tritolit të gjetur në këtë burg.
Sipas policisë, sasia e tritolit është gjetur në derën nga ku u arratisën 7 të burgosurit tre muaj më parë dhe është vënë re, nga sheshi i informacionit të këtij burgu.
Tritol në burgun e Drenovës
Tronditet sërish siguria në burgun e Drenovës. Një tjetër tentativë për arratisje zbulohet nga kontrolli rutinë që ka mbërritur nga Tirana, por këtë herë jo me sharra dhe kërcënim të gardianëve, por me tritol.
Grupi i kontrollit që ka mbërritur nga Tirana për një kontroll rutinë në këtë burg, ka zbuluar në murin rrethues rreth 400 gramë lëndë tritol, i lidhur me fitil dhe i gatshëm për t’u aktivizuar.
Forcat e sigurisë së burgut të Drenovës janë vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë nisur hetimin për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Qëllimi është të gjenden autorët që e kanë vendosur këtë sasi tritoli në murin rrethues të burgut dhe cilët persona të burgosur kanë pasur në plan, një tjetër tentative arratisje nga ky burg.
Vlen të theksojmë se siguria në këtë burg tashmë është tronditur disa herë, me 23 nëntor 2013 një grup të burgosurish prej 7 vetash arritën të arratiseshin pa asnjë problem prej tij dhe mundën të arrestoheshin serish nga policia vetëm pas një jave.
Pa kaluar as dhjetë dite nga kjo ngjarje, gjatë një kontrolli po rutinë të bërë nga grupi i kontrollit të mbërritur nga Tirana, u gjetën në këtë burg 4 sharra hekuri, të cilat do të përdoreshin për të prere hekurat e burgut me qëllim arratisjen prej tij. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





