Transmetuar më 11-02-2014, 01:55

Nga Eduart Halimi

Mëngjesin e 5 shkurtit, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin që shpalli si të marrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, Aktin normativ të Kryeministrit më 30 shtator 2013, “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për nëpunësin civil’”. Vendimi i gjykatës është sa i qartë për të gjithë ata që kanë patur mundësi ta lexojnë, aq dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar pikë më pikë e gërmë nga të gjithë.

Nuk kam patur ndonjë dyshim nga mënyra sesi do ta lexonte qeveria, sepse nuk kam patur kurrë dyshime as mbi mungesën totale të njohurive kushtetuese të Kryeministrit dhe as mbi teprinë e arrogancës së tij për të spastruar administratën me qëllimin e vetëm për të hapur vende pune në shpërblim të votave të blera dje në emër të tij.

Vlera e vërtetë e këtij vendimi qëndron tek efektet që do pasojnë, ndaj do doja të ndaja me ju disa konkluzione për këto efekte.

I.  Mbi konstatimin e antikushtetutshmërisë së aktit të Kryeministrit dhe Kuvendit

Së pari, në arsyetimin e vendimit të gjykatës rezulton e zeza mbi të bardhë se akti i kryeministrit në 30 shtator 2013, që i preu rrugën hyrjes në fuqi të ligjit të ri për administratën, binte në kundërshtim me jo pak por  4 nene të Kushtetutës. Si një akt tërësisht antikushtetues gjykata e konsideron atë NUL, të paqenë, sikur asnjë çast të mos kishte ekzistuar.

Së dyti, në arsyetimin e vendimit të gjykatës rezulton se edhe vendimi i Kuvendit që e “noterizoi” këtë akt antikushtetues, edhe pse bleu politikanë për të realizuar qëllimin, sërish është po aq antikushtetues sa vetë veprimi i kryeministrit, pra është nul, i paqenë, sikur dhe ky të mos kishte ekzistuar asnjëherë.

Alibia e bashkëkryetarëve të mazhorancës, që e justifikuan nxjerrjen e aktit me gjendjen e gjasme urgjencës dhe nevojës, apo arsyeve teknike që u munduan të gënjenin dhe partnerët, u zhbë nga gjykata. Ra kështjella prej rëre, u zhbënë të gjitha, akti, arsyeja, alibia, pasojat, dhe çfarë mbeti shfaqur qartë në dritën e diellit ishte qëllimi. Sot kur kanë kaluar 5 muaj dhe janë larguar rreth 5000 punonjës nga ajo ditë, pra rreth 1000 çdo muaj, dhe kur qeveria ka dhënë llogari para gjykatës, del e zeza mbi të bardhë dhe qëllimi i mazhorancës ishte i qartë si kristali që ditën e parë: Të spastrohet administrata! Nuk pyesim për ligj e Kushtetutë, na duhet shpërblimi për militantët që blenë votat në emrin tonë!

Mjafton t’u hedhim një sy konkurseve që gjoja u shpallën, e pastaj gjoja u fituan të gjitha, por vërtet të gjitha nga kryetarët e PS apo LSI, apo farefis të tyre. Konkurset që shumë shpejt u kthyen në parodi ku personazhet qesharakë si ministra të familjes apo goca drejtore u thoshin të papunëve se e kishin marrë vendin me meritë, sepse “U gjetën në vendin e duhur, në kohën e duhur”. Apo sesi kryeministri në emër të gjendjes së emergjencës së ndodhur në kokën e vet, emergjencë për të përmbushur pazaret, e mbushi administratën me mjete rrethanore.

Ja pra, kjo është panorama e asaj që ndodhi në këto 5 muaj dhe që të gjithë, përfshi partnerët ndërkombëtarë, janë sot të bindur se akti i 30 shtatorit dhe gjithë farsa që u zhvillua deri sot nuk ishte aspak teknike, por kryekëput antikushtetuese me një qëllim të qartë, spastrimin në administratë prej më shumë se 5000 punonjësish.

III. Mbi efektet juridike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Kështjella prej rëre u zhbë. Vlerë reale sot, dhe interes për të gjithë veçanërisht të prekurit e drejtpërdrejtë përbëjnë efektet e rënda  që një Akt i kryeministri shkaktoi. Të jemi të qartë se nën gjykim kushtetues nuk ka qenë ligji për nëpunësin civil, por akti që i preu rrugën hyrjes në fuqi të këtij ligji. Akti normativ që i preu rrugën hyrjes në fuqi, u shpall antikushtetues. Pra ligji ka hyre në fuqi më 1 tetor 2013, duke shfuqizuar automatikisht ligjin e vjetër, mbi të cilin u bazua mazhoranca PS-LSI në spastrimet në administratë.

Hyrja në fuqi e ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, më datë 1 tetor 2013, dhe shfuqizimi i ligjit të vjetër për nëpunësin civil, sjellin domosdoshmërisht këto efekte:

1- Të gjitha procedurat e largimeve nga administrata publike të realizuara pas datës 1 tetor 2013, përfshirë këtu jo vetëm institucionet që ishin pjesë e fushës së zbatimit të ligjit të vjetër, por edhe institucionet që përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit të ri, konsiderohen absolutisht të pavlefshme, për dy arsye: akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore; si dhe  akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.

2- Të gjithë nëpunësit e nxjerrë në listë-pritje si pasojë e ristrukturimit, në kundërshtim me rregullimet e ligjit të ri, duhet të transferohen/riemërohen në administratën publike sipas kësaj precedence:

a) në të njëjtin institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar;

b) në institucionin, me të cilin institucioni është shkrirë apo bashkuar, në një nga institucionet, në të cilat institucioni është ndarë apo në institucionin që ka marrë funksionet që kryente më parë nëpunësi;

c) në institucionet e varësisë së institucionit të ristrukturuar;

ç) në një institucion tjetër të shërbimit civil.

3- Të gjitha aktet e emërimit të nëpunësve të administratës publike të realizuara pas datës 1 Tetor 2013, janë absolutisht të pavlefshme, për dy arsye: akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore; si dhe akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.

4- Që nga datë 1 Tetor 2013, të gjithë punonjësit e aparatit të Këshillit të Ministrave, ministrive, institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit apo ministrave, përfshirë degët e tyre territoriale, si dhe administrata e prefektit,gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe gëzojnë garancitë për qëndrueshmëri në detyrë që ofron ligji i ri.

5- Të gjitha çështjet që janë në shqyrtim nga gjykatat për largimet e bëra nga administrata shtetërore, duhet të mbajnë në konsideratë ligjin e ri për nëpunësin civil.

6- Duhet të ndërpriten të gjitha procedurat e emërimeve në administratën publike, duke qenë se ligji ndalon emërimet për një afat 3-mujor nga fillimi i efekteve të ligjit.

 7- Duhet të ndërpriten të gjitha procedurat e konkurrimit të shpallura nga Departamenti i Administratës Publike pas datës 1 Tetor 2013, ku përfshihet një numër i konsiderueshëm i pozicioneve në shërbimin civil. Të gjitha këto vende duhet t’u ofrohen nëpunësve, të cilët në kundërshtim me ligjin janë nxjerrë në listë-pritje.

Por si do të realizohet ky proces i ekzekutimit të vendimit?

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave me anën e organeve përkatëse të administratës shtetërore. Sipas nenit 76 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar një ligj apo akt normativ si të papajtueshëm me Kushtetutën, si rregull sjell efekte juridike nga data e hyrjes së tij në fuqi. Vendimi ka fuqi prapavepruese vetëm ndaj çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, derisa vendimet e tyre nuk kanë marrë formë të prerë, si dhe ndaj pasojave ende të paezauruara të ligjit apo aktit normativ të shfuqizuar.

Meqenëse Kryeministri ka blerë disa deputetë në këta 5 muaj, ai iu është drejtuar qytetarëve se do ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e zhbërë ligjin nga e para, dhe se nuk do kthejë asnjë në detyrë dhe nuk ka ndërmend të zbatoje asnjë vendim gjykate. Arrogancë po e po, por dhe naivitet politik dhe injorancë e plotë juridike. Përgjegjësinë e zgjidhjes së spiralit që vetë krijoi, e ka Këshilli i Ministrave duke lexuar drejt vendimin e gjykatës. Është e vërtetë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk flet për raste nominative, nëse do të kthehet ky drejtor apo do largohet ai, pasi këto janë çështje të gjykatave të ulëta, gjykatave administrative, por ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, me fuqi detyruese për të gjithë, u jep të drejtë gjykatave administrative që të mbyllin të gjitha proceset, rreth 2000 brenda pak ditësh punë.

E thënë ndryshe, për pak ditë do të kemi jo një, por më shumë se 2000 vendime gjyqësore të formës së prerë që do të duhet të ekzekutojë kryeministri. Sa më shpejt ta kuptojë kryeministri këtë, aq më mirë është. Jo për të, sepse ai nuk do paguajë gjë nga ato miliona euro dëmshpërblime, por do paguajë buxheti i shtetit. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë militantët që u gënjyen dhe zunë vendet dhe morën shpërblimin, aq më mirë dhe më lehtë do të jetë. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë ata që ekzekutojnë verbërisht urdhrat e kryeministrit, aq më mirë do jetë, sepse dita e llogaridhënies vjen shpejt.

Nëse në mënyrë naive kryeministri do të thotë sërish se është çështje teknike dhe meqenëse tani kam votat që kam blerë politikanë, mund t’i bie në ballë Gjykatës Kushtetuese, vendimeve të saj dhe vendimeve të Gjykatës Administrative, duke i bërë ligjet siç dua, atëherë sigurisht që do na ketë përballë sërish, dhe me sa duket jo vetëm ne.

Ndaj dhe rruga më e mirë për të gjithë, do të ishte ndjesa politike dhe juridike për aktin që kryen, leximi drejt, ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese si garant i Kushtetutës. Sa më shpejt që Kryeministri të jetë i qartë, aq më mirë do jetë për klimën politike dhe për të ardhmen europiane të vendit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit