
Konferenca dhe seminarë pafund. A nuk ka ardhur koha t’u vihet fre këtyre nismave të neveritshme që nuk ndërthuren me asgjë tjetër përveçse me dalje mediokre mediatike ku vetëm shprehen ngushëllime aspak të sinqerta për tragjeditë e përditshme rrugore dhe në terren nuk është bërë asgjë?
Deputet i njohur socialist, Marko Bello, ish ministër në kabinetet e majta dhe aktualisht një ndër politikanët e lënë në hije nga drejtimi i ri i PS, flet me tone të ashpra ndaj kësaj që po ndodh në rrugët e gjakosura të Shqipërisë, ku shkatërrimi është kthyer në rutinë që përballen të gjithë, dhe fjalët kritike për pararendësit, mbrojtja më e mirë.
Z.Bello pajtohet me faktin se aksidentet rrugore vijojnë te shkaktojnë viktima te pafajshme; dhe shprehet: “Njerëz të papërgjegjshëm i lejojnë vetes të drejtojnë automjetet në gjendje të dehur, me shpejtësi tej normave të lejuara dhe, në jo pak raste, pa leje drejtimi”.
Z.Bello thotë se rrugët janë jashtë standardeve, pa mure mbrojtëse, pa ndriçim, pa vijëzime.
Duke evidentuar se policia po lëviz, ndonëse jo mjaftueshëm, z.Bello thekson se “nuk varet vetëm prej masave dhe gjobave që ajo imponon”.
Ai ka një këshillë ndaj qeverisë: “Ministria e Transporteve, bashke me Drejtorinë e Përgjithshme te Rrugëve duhet të veprojnë urgjentisht dhe te heqin dorë nga seminaret dhe konferencat mbi sigurinë rrugore. Përshpejtimi i punimeve, sinjalistika, mbushja e gropave, vizimet janë vetëm disa nga masat që mund te realizohen më shpejt dhe të shpëtojnë jetë njerëzish te pafajshëm”. Një mendim ky, që pajtohen shumë njerëz, por pyetja shtrohet: “A do të dëgjohet zëri i Bellos nga qeveria”?
Derisa të ndodhë kjo, përgjakja e rrugëve po vazhdon… /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





