
Tiranë, 10 shkurt 2014, NOA.al-Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka reaguar menjëherë pas akuzave të opozitës, se kryeministri Rama ishte në Lin të Pogradecit duke inspektuar rrugët e nisura nga qeveria e demokratëve.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputeti Klosi u shpreh se, reagimet e sotme nga zyrat e mëkëmbësit për të mbrojtur padrinon, që i bëri rrush e kumbulla elektorale paratë e shqiptarëve duke prere shirita për rrugë që mbetën rrugëve, janë sa qesharake aq edhe të mjaftueshme për të kuptuar edhe njëherë revoltën e 1 milion votave të 23 qershorit.
Sipas Klosit, rruga Lin -Pogradec duhet të kishte mbaruar në qershor të vitit 2013, por për shkak të keqqeverisjes së Partisë Demokratike ende sot është një kantier i hapur. E lënë në mëshirë të fatit për shkak të borxheve të akumuluara nga qeveria e mëparshme, jo vetëm që rruga nuk ka mbaruar, por muaj pas muaji vazhdonte të degradohet edhe më keq.
Deputeti Klosi tha se,“sot në këtë rrugë ka rinisur puna, me standarde të reja, me ritëm të ri. Puna ka nisur falë garancisë që kompania e ndërtimit të rrugës ka marrë nga qeveria e re, se borxhi i krijuar nga qeveria e mëparshme do të shlyhet”.
Sot, – tha Klosi, – sfida e Kryeministrit Edi Rama është që kantieret e ndërtimit të zhbllokohen të gjitha, borxhet të lahen dhe të fillojë puna, jo vetëm për ndërtimin e rrugëve, por mbi të gjitha për të pasur rrugë cilësore, me sinjalistikë të standardeve moderne, të sigurta për çdo qytetar.
Duke kritikuar punën e bërë nga qeveria e PD, Klosi tha se, “është e qartë se niveli i projekteve të trashëguara është krejtësisht i papranueshëm për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së çdo standardi urbanistik”.
Gjithashtu deputeti i PS theksoi se, është një domosdoshmëri, rishikimi i këtyre projekteve për aq sa mund të korrigjohen përgjatë realizimit të tyre. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





