
Një shpërthim i fuqishëm lënde plasëse ndodhi mbrëmjen e së dielës duke shkaktuar shkatërrimin e një banese në qytetin bregdetar të Vlorës, raporton korrespondenti i noa.al.
Ngjarja ka ndodhur tek lagjja “28 Nëntor” në qytetin e Vlorës, në banesën e Anton Mëhillaj, pranë “Shtëpisë së Oficerëve”.
Nga shpërthimi nuk ka dëme në njerëz por dëmtime të konsiderueshme të pronës së Mëhillaj.
Policia tha se në banesë nuk ndodhej njeri pasi familja ishte larguar pasi disa ditë më parë dolën në media emrat e kushërinjve Andon Mëhillaj dhe Genis Mëhillaj të dyshuar si ndërmjetës për vrasjen me pagesë të biznesmenit Agron Çela, një krim për të cilin policia thotë se Julian Sinanaj u pagua 35 mijë euro.
Dyshohet se braktisja e banesës është bërë nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, ndërkohë që policia dy kushërinjtë Mëhillaj i shpalli persona në kërkim.
Ngjarja kur u vra Çela ndodhi gushtin e kaluar kur sipas hetimeve policore, Sinanaj e ka pritur jashtë shtëpisë biznesmenin dhe e ka ekzekutuar me pistoletë, ndërsa viktima parkonte makinën.
Hetimet nxjerrin dyshimin tjetër se kanë qenë sërish kushërinjtë Mëhillaj qe e kanë porositur për një vrasje tjetër. Sokol Veizi ishte në konflikt me ta për çështje pronësie dhe kushërinjtë Mëhillaj kanë premtuar ta shpërblejnë me 1 mijë e 500 metra tokë.
Sokol Veizi është vrarë me dy plumba në një lokal në Orikum në gusht të vitit të kaluar dhe më pas Julian Sinanaj është shpërblyer me një apartament në Vlorë, nga dy kushërinjtë Mëhillaj.
Policia: Mëhillajt ishin sekserë vrasjesh me pagesë
Sekserët e vrasjeve, siç i konsideron policia, Andon dhe Genis Mëhillaj, shpërbleheshin me 20-30 mijë euro për “punën” e tyre. Kushërinjtë Mëhillaj “peshkonin” biznesmenët e mëdhenj dhe lidhnin marrëdhënie të ngushta miqësore me ta, duke krijuar besim për mosnxjerrje sekreti.
Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, Mëhillajt i këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët. Kjo ishte një punë e lehtë, pasi ai mund të paguante dikë, për eliminimin e kundërshtarit, shkruan gazeta Shqip. Nga ana tjetër, ata i siguronin se kishin në varësi një person që e kryen vrasjen me saktësi të madhe, pa lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit.
Për të përforcuar idenë, i flisnin edhe për karrierën e pasur kriminale të Julian Sinanajt. Kur biznesmenit i mbushej mendja, se e vetmja rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga rivali ishte vrasja, atëherë ai bënte marrëveshje me kushërinjtë Mëhillaj. Mes palëve nisnin bisedimet për pazaret, të cilat ishin të ndryshme, në varësi të personit që do të vritej. Pas kësaj, Erjon (Andon) dhe Genis Mëhillaj, kontaktonin direkt me Julian Sinanajn. Ata bisedonin për objektivin e radhës, shumën e parave që jepte porositësi për “kokën” e viktimës dhe një fotografi, të shoqëruar me të dhëna personale rreth këtij të fundit. Pasi binin në dakordësi, 31-vjeçari niste procedurat, për të përfunduar me sukses porosinë e radhës, prej së cilës do të merrte një shumë të konsiderueshme parash. Mësohet se Mëhillajt ishin ura lidhëse mes Julian Sinanajt dhe porositësve. Këta të fundit, në të shumtën e rasteve, nuk kishin kontakte me njëri-tjetrin. Gjatë dëshmive të dhëna në prokurori, Sinanaj ka thënë se ai nuk e dinte se kush ishte personi që paguante për punën e tij dhe nga ana tjetër nuk dinte as motivin. Gjithçka mbetej anonime dhe të vetmit persona që kishin informacione të gjëra, ishin kushërinjtë Mëhillaj, të cilët janë shpallur persona në kërkim. Pavarësisht se burime nga policia bëjnë me dije se të arratisurit merrnin rreth 20-30 mijë euro për çdo ndërmjetësim që bënin, Julian Sinanaj i ka dekonspiruar me pretendimin se ata merrnin pjesën më të madhe të parave. “Unë bëja të gjithë punën dhe ata që më jepnin porositë se cilin duhej të vrisja, merrnin më shumë se unë. Jam i pakënaqur për mënyrën se si funksiononte e gjithë kjo situatë”, mësohet se ka thënë Sinanaj përpara prokurorëve, duke u hakmarrë ndaj kushërinjve sekserë.
Pas nxjerrjes së emrave, policia ka nisur kërkimet për të vënë në pranga kushërinjtë. Arrestimi i tyre do të zbulonte shumë të dhëna të tjera që janë ende mister për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por gjasat janë të pakta, pasi dyshohet se ata kanë marrë të gjitha masat për t’i shpëtuar policisë, sapo janë njoftuar se bashkëpunëtori i tyre i ngushtë, Julian Sinanaj ka rënë në duart e policisë. Nxjerrja e informacionit nga ana e policisë në lidhje me këtë çështje u ka lënë rrugë të lirë kushërinjve sekserë që të fshihen. Pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare vazhdojnë që të bëjnë kërkime brenda dhe jashtë kufijve.
Fotografitë e Andon dhe Genis Mëhillajt janë shpërndarë në policitë e shteteve të ndryshme, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton të mos e kenë kaluar kufirin shqiptar nëpërmjet ndonjë pike kufitare. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, ku kërkon që çdo person që do të shohë këta dy shtetas, të telefonojë në sallën operative të çdo qyteti, në numrin 129 për të dhënë informacion, si dhe siguron ruajtjen e privatësisë. Në sajë të bashkëpunimit, policia ofron një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion për vendndodhjen e Mëhillajve. Personat që kanë dijeni, duhet të njoftojnë policinë, duke iu siguruar anonimati. Nga ana tjetër, së bashku me njoftimin policia ka vendosur që të publikojë fotografitë e Genis dhe Andon Mëhillajt. Të dy kushërinjtë janë të bëshëm në trup. Kanë flokë të prerë shkurt. Genisi mban mjekër, por gjasat janë që ai të ketë ndryshuar pamje, së bashku me Andonin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





