
Tiranë, 9 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë komunikimit me mediat ka rishprehur edhe njëherë ngushëllimet e tij dhe të PD për familjarët të cilët humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentet e së shtunës.
Më tej ai ka theksuar se qëllimi i kësaj përballje me mediat është për t’ju dhënë mundësinë për të saktësuar disa nga momente kryesore të javës që lamë pas. Duke e nisur me dy nga ngjarjet më të rëndësishme, me ngritjen e Komisionit Hetimor për Policinë e Shteti dhe me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si antikushtetues të Aktit Normative të qeverisë.
Duke u ndalur në çështjen e parë, Basha tha se është fitore e një beteje parlamentare të PD dhe e opozitës. Sipas tij gjendja e rendit dhe sigurisë në vend, kërcënimi i vazhdueshëm i jetës, pronës së qytetarëve është në interesin më madhor të opozitës.
“Në funksion të shërbimit të këtij interesi publik ne kemi dënuar gjatë këtyre muajve paligjshmërinë e vendimeve që bien ndesh me mirëqeverisjen si dhe prezantimin në strukturat e Policisë së Shtetit të personave me një të kaluar kriminale. Kemi thënë se përtej denoncimit, si opozitë nuk do të rrimë duarkryq para interesave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe kemi identifikuar paligjshmërinë si problemin kryesor në Polici që përcillet në formën e pasojave në mungesën e rendit”, tha Basha.
Më tej ai nënvizoi faktin se kjo opozita nuk e nisi këtë beteje për të bërë demagogji dhe politikë.
“Kur mazhoranca i përgjigjet rendit dhe sigurisë me demagogji atëherë është roli i opozitës të vërë në zbatim instrumentet ligjor për të kthyer në ligjshmëri Policinë e Shtetit. Ne besojmë se me ngritjen e këtij komisioni do ti shërbejë kthimit të ligjshmërisë së Policisë së Shtetit, duke nisur me hetimin e rrethanave, shkaqeve e fakteve, që presin të dalin në drite të palishmërisë së vendimeve dhe urdhrave në polici, që kanë të bëjnë me shkatërrim të profesionistëve në polici”
Duke u ndalur tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si antikushtetuese Aktin Normativ të qeverisë, Basha tha se, me këtë vendim Gjykata Kushtetuese theksoi se qeveria me vendimin e Aktit Normativ u gjet në një terren jo legjitim dhe antikushtetues.
“Opozita paralajmëroi mos marrjen e këtij hapi pikë së pari, sepse do të godiste konsensusin e arritur dhe duke e goditur këtë konsensus do të rrezikonte klimën e besimit të ndërsjelltë politikë në vend siç e rrezikoi”, tha Basha .
Gjithashtu ai e quajti pa vend nismën e qeverisë për të diskutuar këtë vendim, duke u shprehur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohet dhe nuk diskutohen apo negociohen.
Kryetari i PD, iu përgjigj edhe interesit të medias për Reformën Territoriale, duke u shprehur se nuk mund të realizohet pa konsensusin me opozitën. Sipas tij kjo është një reformë elektorale që do prekë thellë realitetin e qytetarëve shqiptarë, realitetin elektoral dhe decentralizimin.
“Konsensusi është domosdoshmëri për këtë reformë, s’ka asnjë detyrim Kushtetues por ka detyrim politik e moral. Rivendosja është parimi nga nuk mund të iket. Bëhet fjalë për një reformë që do prekë thellë realitetin e qytetarëve shqiptarë, realitetin elektoral dhe decentralizimin. Ne nuk i ikim qëndrimit tonë. Kemi një mazhorancë që flet me gojën me arra, thotë njëmijë gjëra, por konsensusin se përmend. Konsensusi nuk është formulë e panjohur, nuk mund të zëvendësohet me asnjë pseudoformulë. Mazhoranca bën mirë që energjitë e saj ti fokusojë tek kërkesa e opozitës. Besimi mes palëve nuk është përmirësuar por është zgjeruar. U kapën në shkelje nga Kushtetuesja, në vend të reflektojnë vazhdojnë me pretendimet absurde për të dhunuar konsensusin e 30 majit. Nëse ka vend për të diskutuar për konsensusin, mazhoranca ka faktuar edhe njëherë se është e vendosur jo vetëm të mos ofrojë konsensus, por ta shkelmojë atë. Qëndrimi ynë është i qartë, vendimi i gjykatës kushtetuese të zbatohet. Vetëm zbatimi i saj mund të japin garancinë se kjo mazhorancë të paktën kur kapet në flagrancë në shkelje të Kushtetutës është në gjendje të reflektojë, e kundërta është një kambanë e madhe alarmi”, tha Basha.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





