
Nga Edison Ypi
Voce Zela nuk ka qenë, nuk është dhe kurrë nuk do jetë, si kanë thënë, po thonë, e do thonë, ca që as s’dinë e as ndjejnë; festival, vals, shi, lemzë, djalosh, fëmijë i parë, lumturi, atdhe, gërshet, dhe të tjera broçkulla të tilla.
Për habinë e budallenjve dhe kënaqësinë e të squtve; Voce Zela ka qenë, është, dhe përgjithmonë do jetë, një gjë krejt tjetër; frymë, cilësi, ajër, atmosferë, eter, që me materialitetin s’e lidh asgjë e drejtpërdrejtë, vulgare, mediokre.
Voce Zela nuk ishte diçka që Shqipëria e fitoi kur lindi dhe e humbi tani që Voce Zela s’merr më frymë.
Voce Zela, ishte, është, dhe do të jetë, një fenomen eternal, e pavdekshëm dhe e papërsëritshme, një pasuri e pamatshme, një frymë e pashkatërrueshme, Kumt Providencial, Mëshirë Hyjnore, që Shqipëria e ka pasur, e ka, dhe gjithmonë do ta ketë.
Voce Zela ishte, është, dhe do jetë, flakëza e qiririt, ajo dritëza e mistershme dhe e pafikshme nga asnjë furtunë, që s’dihet se nga vjen, që gjithmonë mbetet dhe gjithmonë ndrit. Për të mos e lënë natën të bëhet totalisht e zezë. Për të mos e lënë udhëtarin të mos e humbi udhën, edhe në natën më të skëterrshme.
Voce Zela ishte, është, dhe do jetë, ajo që sadopak zbut edhe shtazën më të egër.
Voce Zela, ishte, është, dhe do jetë, ajo cilësia misterioze që edhe jetës më fatkeqe dhe më të përvuajtur, i jep një arsye sado të vogël për të qenë deri në fund e dashur.
Voce Zela ishte një element kompensues, një faktor ekuilibrues, për të mos e lënë dëshpërimin të bëhet shkatërrimtar edhe atëherë kur dukej se gjithçka kishte marrë fund; kur proletarët ulërinin, fshatarët rënkonin, shkrimtarët shkarravisnin, këngëtarët zhurmonin, instrumentistët i binin legenit, të dobëtit spiunonin, të talentuarit vuanin.
Shqipëria nuk ka qenë gjithmonë si është sot; me shtëpi të mëdha, xhirollogarira, udhëtime, qejfe, dhe plot e plot të tjera. Për dhjetëra vite Shqipëria ka qenë skëterrë dhe shqiptarët ishin lakuriqë nate, minj fluturues. Por shpresa nuk dha kurrë shpirt. Bartëse e kësaj shprese ishte Voce Zela.
Zoti fuqi-dhe-mëshirëplotë, nuk mund të rrinte duarkryq. Për të neutralizuar deridiku efektin vdekjeprurës të helmimit nga festivalet, filmat, librat, u solli Shqipërisë dhe shqiptarëve një faktor kompensues, një mjet ekuilibrues, një melhem shërues, Voce Zelën.
Kudo, në çdo zgëq të saj, Shqipëria ka vende me bukuri mahnitëse. Me male oshëtues, lumenj që rrjedhin mendueshëm, përrenj gurgullues, lugina madhështore, mëngjese të magjishme, muzgje rrënqethës, pinke të përgjakura, kisha dhe manastiret të vjetër me myshqe nëpër mure. Për tu kujtuar shqiptarëve të zhytur në mjerim se këto bukurira ekzistonin dhe ishin mes tyre aq afër, Zoti i vëmendshëm syrit dhe veshit të të cilit nuk i shpëton asgjë, këtë dhuratë mund ta zbrazte ku të donte; Në veri, në jug, në lindje në perëndim. Por Zoti e zgjodhi vendin ku të gjitha këto buçasin njëherësh; Myzeqenë, zgjodhi dhe zërin e duhur, Voce Zelën.
Voce Zela ishte, është, dhe do jetë, zëri i të gjitha audio-rrënqethjeve njerëzore dhe natyrore; rënkimeve, ofshamave, klithmave, oshtimave të lumenjve dhe përrenjve, fëshfërimave të fletëve, cinxrave, gjinkallave.
Voce Zela ishte njëkohësisht zëri dhe zërat që dalin si nga instrumentet konvencionale frymorë, filo instrumentet, e deri tek instrumentet e improvizuar, fyejt e barinjve, dhe të gjitha të tjerat.
Në Shqipëri bëheshin kongrese halabakësh, parakalime të frikshme proletarësh plot me piskama dhe ulërima, aksione vullnetare, gara të çmendura pas të cilave shpalleshin gjoja fitimtarë, dëgjoheshin ulërima, bërtima, klithma. Të gjitha këto dhe e plot e plot të tjera, i merrte i hidhte në hale një zë i vetëm, Voce Zela.
Shqipëria ka pasur, ka dhe do ketë, plot egoistë dhe egocentristë pa asnjë zotësi dhe pa asnjë talent, hije që zhgërryhen pas emrit dhe lëpihen pas surratit të vet në mijëra mënyra njëra më e pështirë se tjetra, për shembull në Fejsbuk. Shembulli i altruizmit të përsosur për të cilën vetja, edhe pse gjeniale, nuk ekziston, është Voce Zela.
Zoti e di si bubullinte Voce Zela nga brenda. Nga jashtë, pra për publikun, Voce Zela këndoi vetëm 1 këngë të huaj. Ishte një cha-cha-cha mediokre, por me titullin domethënës “Esperanza”. Voce Zela e këndoi Eperanza-n, në mënyrë aq gjeniale, sa, jo këto karapiçkat e sotme, por asnjë nga artileria e rëndë e muzikës së lehtë të një herë e një kohë, Ella Fitzgerald, Joan Baez, Mina, kurrë nuk do mund ta interpretonte.
E vetmjaftueshme dhe unikale, edhe e mbyllur edhe e pafundme, Voce Zela, Ajo që në mes të natës diktatoriale u largoi shqiptarëve terrin dhe u shtoi sa mundi Lirinë, ishte njëlloj e përsosur si Zoti, Universi, Seksi.
Me rastin e kalimit nga kjo jetë tek tjetra, Voce Zela, nuk kërkon ceremonira, qoka, e të tjera e të tjera.
Voce Zela, me përunjësi, lyp një favor. Jo për vete. Për ju. Që të kuptoni sa ju ndjen lëkura, sa ju rrënqeth dëgjimi, sa ju laget syri, sa ju fërgëllon lëkura, sa ju ndjen qeliza, sa ju dridhet indi;
Për të mos bërë si keni bërë gjithë jetën që i keni rënë Bukurisë mespërmes Myzeqesë pa ndjerë kurrgjë, mbylleni për nja një javë autostradën në Lushnje. Shkoni nga Lushnja në Fier duke i rënë Bukurisë anës-e-anës, nga Divjaka ose Roskoveci. Nëse edhe në këtë rast nuk do ndjeni asgjë, jo se s’jeni njerëz, njerëz jeni, por nga rraca e atyre që quhen të trashë.
Voce Zela ishte e përmbajtur. Por po të donte, Voce Zela mund ta oshëtinte zërin sa botën ta përmbyste.
Voce Zela ende këndon.
Psherëtin me zë të Saj, jet’ e trembur se mos vdesë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





