Transmetuar më 07-02-2014, 17:06

Washington, 7 shkurt 2014- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi zonjёn Anna Kohen dhe zonjёn Johanna Neumann dy tё mbijetuara nga Holokausti nё Shqipëri dhe veprimtare tё shquara nё informimin e opinionit amerikan pёr sakrificat e popullit shqiptar pёr tё shpёtuar hebrejtё gjatё luftёs pёr tolerancё dhe harmoni mes njerёzve, pavarёsisht racёs, fesё dhe kulturёs sё tyre.

Presidenti u dorёzoi zonjave Kohen dhe Neumann “Titullin pёr Merita tё Veçanta Civile” me motivacionin “Nё njohje tё veprimtarisë tё vazhdueshme pёr tё bёrё tё njohur kontributin e Popullit shqiptar pёr shpёtimin e hebrenjve gjatё Holokaustit dhe pёr promovimin e tolerancёs dhe mirёkuptimit”, nё njё ceremoni tё zhvilluar enkas nё selinё e Komitetit Hebreo-Amerikan nё Washington D.C., gjatё sё cilёs u shfaq edhe filmi dokumentar “Shpёtimi nё Shqipёri”, me dёshmi tё gjalla pёr shpёtimin e hebrenjve nё Shqipёri. “Shqiptarët dallohen për tolerancën dhe bashkëjetesën e tyre fetare. Disa besime jetojnë në harmoni të plotë në shekuj, pa asnjë keqkuptim mes tyre, nën moton “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Shqiptarët, për hir të së ardhmes, po bisedojnë me serbët, ende pa u mbyllur plagët e shkaktuara nga makineria ushtarake, raciste dhe shtypëse e Millosheviçit”, tha Nishani.

Mw tej ai theksoi se, shqiptarët dhe hebrenjtë janë të lidhur tashmë me një miqësi të natyrshme dhe të sinqertë, e cila është e përjetshme, sepse ka kaluar testet e historisë.

“Njerëzit, kudo dhe kurdo, lindin me shpirt të lirë, me dëshirën, dhe shpresën për ta jetuar jetën e tyre sa më mirë. Popujt kudo dhe kurdo kanë dashur të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Në  shpirtin dhe trashëgiminë e çdo populli mund të gjenden virtyte shumë të mira. Racat, besimet, kulturat dhe qytetërimet janë thesari i paçmuar i kësaj bote dhe i gjithë njerëzimit, krijuar dhe trashëguar brez pas brezi, që duhet ruajtur dhe pasuruar për të mirën tonë dhe të brezave që do të vijnë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani takohet me Jason Isaacson, Drejtor pёr Qeverinё dhe Marrёdhёniet me Jashtё nё Komitetin Hebreo-Amerikan

Gjatё takimit, i cili u pёrqendrua te marrёdhёniet hebreo-shqiptare, Presidenti u shpreh se periudha e Holokaustit ёshtё njё moment historik qё duhet vёnё nё pah duke na bёrё tё reflektojmё e tё nxjerrim mёsimet e nevojshme pёr tё ndёrmarrё hapat e duhura pёr ndёrtimin e njё bote bazuar nё tolerancё, mirёkuptim dhe harmoni, duke veçuar rёndёsinё e edukimit tё brezit tё ri, i cili duhet tё mёsojё tё vёrtetat e Holokaustit dhe tё diktaturave tё tjera, nё mёnyrё tё mos pёrsёriten gabimet e mёparёshme.

Nga ana e tij, zoti Isaacson u shpreh se “jemi tё angazhuar tё bёjmё tё njohur shёrbimin qё shqiptarёt i kanё bёrё njerёzimit duke shpёtuar hebrenjtё”. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit