
Tiranë, 7 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka sqaruar mungesën e tij në takimin e kërkuar sot nga dy ministrat Harito dhe Celibashi.
Qëllimi i këtij takimi, sipas dy ministrave ishte për të diskutuar ligjin për nëpunësin civil. Për opozitën një mbledhje e tillë është krejt e pakuptimtë adresuar krerëve të grupeve parlamentare nga ana e ministrave, pasi ata e dinë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të interpretohen. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të interpretohet nga kryetarë grupesh, nga kryeministra, nga ministra. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë mjaft i qartë, i detajuar, ka lënë të gjitha udhëzimet e këtij vendimi, kështu nuk mendoj se është në tagrin e kujto tjetër e sa më tepër të grupeve parlamentare apo ministrave të qeverisë të diskutojnë këtë vendim. Qeveria si kushdo tjetër që përfshihet në atë vendim është e detyruar ta zbatojë pikë për pikë dhe nuk ka nevojë të bëjë diskutime apo analiza”, tha Paloka.
Sipas kreut të Grupit Parlamentarë të PD, “pavarësisht se e bëjnë nga padituria, apo sepse kështu e koncepton funksionimin e shtetit kreu i tyre, duhet të kenë parasysh që kryetarët e grupeve parlamentare, por edhe deputetë të thjeshtë qofshin, nuk mund ti thërrasin as ministrat e as vetë kryeministri. Mbase kjo është mënyra se si e koncepton shtetin z. Rama, sepse po e tregon përditë se mund të thërrasë kë të dojë, mund të urdhërojë kë të dojë, por për fatin e tij të keq parlamenti nuk varet nga z. Rama. Megjithatë le ta shohim me dashamirësi dhe t’ia lemë paditurisë së tij këtë gabim”.
Kryetarët e grupeve, – tha Paloka, – nëse kanë çështje për të diskutuar shumë mirë mund të takohen me njëri-tjetrin me ftesë të ndërsjellët, ose mund ti thërrasë kryetari i parlamentit dhe të diskutojnë për çdo çështje që mund të gjykohet e nevojshme. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





