Transmetuar më 07-02-2014, 16:03

Pavarësisht se ka marë bekimin e presidentit Erick Thohir, trajneri i Interit, Walter Mazzarri e di shumë mirë që 4 muajt e ardhshëm janë një test i rëndësishëm për konfirmimin e tij në drejtimin e zikaltërve.

Bashkëjetesa e nisur në fillim të këtij sezoni është e sigurtë që do të vijojë edhe për 4 muaj, ndërsa për të ardhmen mbetet në pikëpyetje.

Gjithçka varet nga rezultatet që skuadra do të arrijë në këtë periudhë të shkurtër 4 mujore, pasi presidenti Thohir kërkon Europën, një dëshirë që ia ka shprehur personalisht trajnerit Mazzarri.

Indoneziani e di që ky është një vit tranzicioni megjithatë objektivi mbetet i qartë, Inter nuk duhet të mbetet jashtë kompeticioneve Europiane.

Numri një i klubit është i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ka punuar trajneri dhe për këtë e ka vlerësuar duke e konfirmuar në drejtimin e skuadrës, por në të njëjtën kohë pret arritjen e objektivit.

Vetëm një fitore në 10 ndeshjet e fundit është një bilanc që nuk i shkon për shtat emrit të klubit edhe pse konsiderohet një periudhë tranzicioni.

Megjithatë në selinë zikaltër askush nuk e harron faktin që në fillim të sezonit ky grup futbollistësh grumbulluan më shumë pikë sesa kishin imagjinuar, plot 25 në 12 javë.

Por pas mesit të nëntorit filloi disheza për zikaltërit, të cilët kanë humbur terren me kreun, janë eliminuar herët nga Kupa dhe tashmë duhet të sigurojnë Europën nëpërmjet kampionatit me një renditje më të mirë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit