Transmetuar më 07-02-2014, 14:56

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique rikthehet të flasë për mediat, duke prekur tema të ndryshme që tingëllojnë aktuale në klubin katalanas, citon Supersport. Largimi i Rosell, çështja Neymar, forma e Messit si dhe një mendim për Real Madrid dhe yllin e kësaj skuadre.

Gjithçka nis me fjalët për faktin se skuadra ka një trajner të ri këtë sezon, por aktualisht edhe një president të ri. “Ndryshimet ndikojnë shumë. Sezonin e kaluar u pa që çështja e Titos na hoqi vëmendjen nga futbolli.

Nuk po justifikohemi, por kemi nisur të izolohemi pasi edhe largimi i presidentit ka ndikuar shumë pak në aspektin sportiv. Historikisht jemi sulmuar më shumë se të tjerët pasi presioni tek Barça është shumë i madh”.

Sigurisht që fitorja e Realit ndaj Atleticos në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ka kthyer vëmendjen tek skuadra e Ancelottit. Pique ruan të njëjtin mendim ashtu si disa javë më parë.

“Gjithmonë e kam thënë që kjo skuadër është në të njëjtin nivel si në 5 apo 6 vitet e fundit. Në nivelin individual Real Madrid është një skuadër unike, me futbollistë shumë të mirë të cilët luftojnë për çdo trofe”.

Nga ekipet tek individët, dhe tashmë vëmendja shkon tek Neymar, transferimi i të cilit u shoqërua me largimin e presidentit Rosell.

“Nga gjithë kjo histori Neymar është prekur më pak sesa thonë njerëzit. Ai vjen nga një futboll dhe realitet tjetër. Në të gjithë këtë histori po e ndihmojmë Neymar ashtu si këdo në klub”.

Nga Brazili në Argjentinë, me Messin protagonist, i cili nuk është parë në lartësinë e sezoneve të fundit. “Messi do të rikthehet të shënojë ashtu siç ka bërë gjithnjë. Leo mund të luajë tre ose 4 ndeshje dobët, pasi është njeri si të gjithë.

Nuk është hera e parë që i ndodh diçka e tillë dhe nuk duhet të harrojmë që vjen nga një dëmtim i gjatë”. Nga ish Topi i Artë tek ai aktual. Pique ka shfaqur haptazi admirimin e tij për portugezin e Real Madrid, Cristiano Ronaldo.

“Cristiano është një futbollist i madh, profesionist i jashtëzakonshëm. Ju ende thoni që kartoni i kuq në kampionat ndaj Bilbaos nuk ishte.

Nuk mund të them që është karton i drejtë vetëm sepse është futbollist i Realit pasi dua të jem objektiv. Cristiano është një profesionist i jashtëzakonshëm, asgjë më tepër”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit