Transmetuar më 07-02-2014, 13:00

Tiranë, 7 shkurt 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në Rrugën e Elbasanit, duke deklaruar se do u jepet fund ndërtimit të rrugëve pa standarde.

Ai theksoi se zhbllokimi i kantiereve të mbetura peng në borxhe ka nisur, por ky është vetëm njëri nga problemet, duke shtuar se problemi i vërtetë janë rrugët pa standarde dhe mizerabël, të cilat sipas tij do të marrin fund.

“Do bëjmë çmos që gjithë këtë punë të sapunisur ta vendosim në shinat e duhura të respektimit të afateve dhe cilësisë dhe nga ana tjetër të mund të rehabilitojmë çfarë është e mundur në kushtet kur tanimë një pjesë e gjërave janë të palëvizshme. Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme qoftë për kryeqytetin e Shqipërisë, pro edhe për ndërtimin e një modeli të ri dhe një qasje tërësisht të re sa i takon infrastrukturës. Në përfundim të gjithë do të të jenë në gjendje që të bëjnë dallimin”, u shpreh Rama, duke shtuar se po vendoset një gur themeli për të pasur rrugë europiane dhe jo një vend në mes të Europës ku rrugët janë për faqen e zezë.

Nga ana e tij Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, deklaroi se rëndësi primare ka cilësia dhe përfundimi në kohë i rrugës, duke respektuar parametrat e sigurisë dhe sinjalistikës.

Sipas ministrit, kjo rrugë do të jetë shembull dhe model i realizmit të një vepre publike dhe të një standardi rruge, duke u vijuar më tej edhe në gjithë rrugët e Shqipërisë të cilat do të ndryshojnë pamje./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit